Evis HALILI
Shkup, 25 tetor – Rreth një mijë euro në muaj do të paguajë Ministria e Kulturës për të shfrytëzuar katin e parë të Muzeut të Alfabetit në Manastir. Kjo është marrëveshja e bërë me pronarin e katit të parë të godinës, me të cilin deri tani kanë dështuar të gjitha tentativat për të rimarrë pronësinë e kësaj pjese të muzeut nga ana e Ministrisë së Kulturës, shkruan gazeta KOHA. Por, pavarësisht marrëveshjes së qiramarrjes, e cila do të sigurojë që të paktën në hyrje të muzeut të mos shiten materiale hidrosanitare, kjo pjesë e muzeut nuk do të rikonstruktohet nga garanti i Fondeve të zhvillimit Ipa, projekt ky që duhet të nisë muajin e ardhshëm dhe që do të rikthejë në identitet një prej objekteve më emblematike të historisë dhe kulturës shqiptare. Edhe pse bëhet fjalë për investimin më serioz për këtë institucion, i cili prej vitesh është në gjendje shumë të keqe, vetë projekti me të cilin u konkurrua në fondet IPA nuk u perceptua seriozisht nga institucionet shtetërore. Për rrjedhojë edhe rikonstruktimi i plotë është refuzuar prej tyre, për shkak se pronar nuk është shteti. Kështu sqaron drejtori Nuer Arsllani, sipas të cilit kjo ka qenë një prej pengesave dhe ndryshimeve në projektin rikonstruktues prej 300 mijë euro, me të cilin Shtëpia e Alfabetit do të rikonstruktohet tërësisht dhe do të kthehet në identitet.
“Është mirë që arritëm një marrëveshje me pronarin, qoftë edhe për ta marrë me qira. Kjo është një praktikë që e has edhe nëpër muze të tjera në vend, dhe për në është një hap i leverdishëm. Meqenëse kontesti i pronësisë nuk u zgjidh dhe katin e parë nuk e kemi në pronësi, me projektin e miratuar nga IPA, kjo pjesë e muzeut nuk do të rikonstruktohet, por do të mundohemi që të sigurojmë fonde të tjera për ta adaptuar dhe për të qenë në funksion të muzeut. Të paktën e dimë që aty, në dyqanet ne hyrje të muzeut nuk do të shiten më pllaka dhe aksesorë për banja”, thotë për KOHA, Arsllani. Sipas tij, ambientet e katit të parë do të përshtaten për të siguruar shërbime shtesë, si sportel dhe sallë pritje, kafe librari, e të tjera. Ndërsa kati i sipërm dhe fasada do të kthehen në gjendjen që kanë qenë, duke iu referuar dokumenteve dhe fotografive që ruhen pas rindërtimit që i është bërë godinës në 1925, kur ish hotel Liria në pronësi të Themistokli Gërmenjit, mbas viteve 20-të të shekullit të kaluar kaloi në një pronësi tjetër dhe u shndërrua në një shtëpi. Gjatë periudhës së Ish Jugosllavisë ka qenë në shërbim të komunës, administratës së ujësjellësit. Projekti që realizohet me grantin e Ipa-s duhet të përfundojë brenda dhjetë muajsh dhe po ashtu parashikon instalimin e një rrjet të ri hidraulik dhe elektrik.
Që kur u hap për herë të parë në vitin 2007, me rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit, por edhe pasi u shpall muze disa vjet më vonë, kjo godinë sinjifikative për historinë dhe kulturën shqiptare nuk është mirëpritur nga banorët joshqiptarë të qytetit duke u shndërruar në një tabelë të shfrimit të urrejtjes etnike. Jo vetëm që është zhgarravitur me parulla raciste antishqiptare, por disa herë janë thyer xhamat dhe është tentuar që të digjet. Kjo është edhe një prej arsyeve kryesore që edhe shënimi i 22 nëntorit, Ditës së Alfabetit të gjuhës shqipe, zakonisht zhvillohet vetëm atë ditë, edhe përkundër tentativave për ta shënuar si një javë, aq sa edhe zgjatën punimet e Kongresit.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.