Shkup, 19 korrik – Komisioni kuvendor për punë dhe politikë sociale në seancën e sotme e filloi debatin për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pagë minimale në Republikën e Maqedonisë me procedurë të shkurtuar, në lexim të dytë, për të cilin, siç tha kryetarja e Komisionit Vesna Pemova e VMRO-DPMNE-së, nuk janë parashtruar amendamente nga propozues të autorizuar.
Për shkak të domosdoshmërisë të pjesëmarrjes së anëtarëve të Komisionit në seancë plenare kuvendore, debati ishte ndërprerë menjëherë pas elaborimit nga zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale Gjonul Bajraktar, ndërsa vazhdimi i saj në mënyrë shtesë do të caktohet.
Bajraktar tha se ndryshimet e Ligjit për pagë minimale miratohen me qëllim që të nxiten punëdhënësit të cilët kanë probleme financiare që t’i paguajnë pagat e rritura të të punësuarve të cilat janë rritur mbi pagën minimale dhe arrijnë deri në 18.000 denarë pagë neto.
“Propozimi i këtillë u pranua në seancën e këshillit socialo-ekonomik që u mbajt në Qeveri më 1 maj të vitit 2018 për shkak se nevojitet ndryshime të Ligjit. Është planifikuar që mbështetja financiare të sigurohet në periudhën nga korriku i vitit 2018 deri në dhjetor të vitit 2019 dhe të arrijë 30 për qind nga dallimi midis pagës bruto të punëtorit në muajin rrjedhës dhe paga mesatare bruto të punëtorit të paguar në muajt tetor, nëntor dhe dhjetor të vitit 2017 me ç’rast mbështetja financiare maksimale mund të arrijë 1.200 denarë”, tha Bajraktar.
Theksoi se mjetet për pagesën e mbështetjes financiare tashmë janë siguruar dhe sipas projeksioneve nëse aplikojnë të gjithë të cilët i përmbushin kushtet me masën do të përfshihen rreth 50.000 të punësuar dhe 15.000 punëdhënës.