“Nëse flasim se kush dhe sa fiton nga partitë politike, mendoj se kjo nuk do të ndikojë në rezultatet zgjedhore krahasuar me ato të vitit 2016 dhe lartë-poshtë numrat nuk do të japin ndonjë rezultat ndryshe. Mirë është që është bërë ndryshimi që numri i votuesve të jetë në limitin e pragut zgjedhor prej minus (plus) 5 për qind”, thotë për KOHA, Subhi Jakupi, ish-nënkryetar i KSHZ-së
Destan JONUZI
Shkup, 22 shkurt – Ndryshimet e Kodit Zgjedhor në momentin e fundit para shpërndarjes së Parlamentit do të sjellin kalimin e një numri të caktuar votuesish nga njësia e gjashtë zgjedhore në njësinë e pestë, gjegjësisht transferohen votuesit e Dibrës dhe Qendër Zhupës. Kjo sipas ish-nënkryetarit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Subhi Jakupi, nuk do të ketë ndikim në rezultatin zgjedhor, shkruan gazeta KOHA.
Votuesit nga komunat Dibër dhe Mavrova në vend se në njësinë e gjashtë zgjedhore do të votojnë në njësinë e pestë zgjedhore me ndryshimet në Listën Zgjedhore të cilat u miratuan para shpërndarjes së Parlamentit. Propozues të këtyre ndryshimeve ishin koordinatorët e partive politike BDI, LSDM dhe VMRO-DPMNE me qëllim që të arritjes së balancimit mes njësive zgjedhore. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pas pranimit të ndryshimeve të fundit ligjore të listës zgjedhore në dhjetor të vitit të kaluar informojë se numri i votuesve në njësinë e dytë dhe të gjashtë zgjedhore e tejkalojnë pragun e lejuar me ligj nga pesë për qind, ndërsa numri i votuesve në njësinë zgjedhore numër tre është nën pragun e lejuar.
Ish-nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi, thotë se edhe pse është verifikuar se ka tejkalime në katër njësitë zgjedhore janë bërë ndryshime vetëm se në një, pasi që është insistuar që ato të miratohen në proceduar të përshpejtuar. “Te ne është bërë praktik që në momente të fundit para se të shkojmë në zgjedhje të bëhen disa ndryshime, pasi që atëherë partitë politike fokusohen në pazare të rëndomta të cilat nuk janë në korniza të rekomandimeve. Kur ndryshimet nuk janë bërë para gjashtë muajve, atëherë konsensusi gjendet në momentin e fundit. Mendoj se nuk është në rregull që ndryshimet nuk kanë përfshirë të katër njësitë zgjedhore që kanë pasur problem me pragun e lejuar ligjor prej 5 për qind. Por, megjithatë kjo u mbetet partive politike të cilët e hartojnë politikën të gjejnë zgjidhje”, thotë për KOHA, Jakupi.
Në dy komunat gjithsej ka 17.676 votues, sipas të dhënave nga zgjedhjet e fundit Parlamentare të vitit 2016. Nga këto në zgjedhje kanë dal 8.161. Për partitë e bllokut politik shqiptar në Dibër kanë votuar 2.107 votues nga gjithsej 4.550. Ndërkohë në Mavrovë partitë e bllokut politik shqiptarë kanë fituar vetëm se 324 vota nga gjithsej 3.611. Kjo nënkupton se partitë nga blloku politik maqedonas kanë marr më shumë vota në Mavrovë dhe do të transferonin 5.700 vota nga njësia e gjashtë në të pestën.
Nëse bëhet një krahasim mes BDI-së dhe LSDM-së në këto dy njësi zgjedhore mund të konstatohet se në njësinë e pestë zgjedhore BDI ka rreth 13 mijë vota të fituara, dhe është shumë pas LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së e cila ka fituar gjithsej 70 mijë vota. Në njësinë e gjashtë zgjedhore fotografia është më ndryshe, BDI ka fituar mbi 45 mijë vota apo 14 mijë vota më shumë se LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja. Jakupi thotë se është arritur kompromis vetëm se për njësinë e gjashtë zgjedhore, pasi që matematika ka treguar se ky ndryshim nuk do të ketë ndikim në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. “Nëse flasim se kush dhe sa fiton nga partitë politike, mendoj se kjo nuk do të ndikojë në rezultatet zgjedhore krahasuar me ato të vitit 2016 dhe lartë-poshtë numrat nuk do të japin ndonjë rezultat ndryshe. Mirë është që është bërë ndryshimi që numri i votuesve të jetë në limitin e pragut zgjedhor prej minus (plus) 5 për qind”, shprehet Jakupi.
Ndërkohë, kreu i KSHZ-së, Oliver Derkoski së fundmi ka deklaruar se në Maqedoni po vazhdohet me praktikën e keqe me ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Sipas tij, bëhet fjalë për 34 ndryshime me radhë që nënkupton se është i nevojshëm hartimi i një Kodi të ri zgjedhor. Ai thotë se ndryshmet në Kodin Zgjedhor duhet të bëhen së paku gjashtë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve. (koha.mk)