Nga komuna e Tetovës thonë se janë angazhuar maksimalisht që të gjendet lokacion për shkollën në Reçicë të Vogël
Urim HASIPI
Tetovë, 29 shtator – Këtë vit, 13 ditë para fillimit të zgjedhjeve parlamentare filluan punimet për ndërtimin e objektit të shkollës në Reçicë të vogël.Punimet kanë vijuar me një rritëm të përshpejtuar dhe tashmë pothujse pjesa e bodrumit është përfunduar. Fotografitë nga vendi i ngjarjes tregojnë se në vendin e paraparë për shkollë në Reçicë të vogël, ku dikur ishte tregu i kafshëve, tashmë po punohet për ndërtimin e objektit shkollor. Ky objekt sipas paralajmërimeve të mëhershme duhet që të përfundohet brenda 11 muajve respektivisht në maj të vitit 2021. Nëse eventualisht nuk dalin pengesa gjatë ndërtimit të objektit shkollor në shtator të vitit 2021 fëmijët e lagjes Reçicë e vogël, duhet që më në fund të fillojnë të mësojnë në shkollën e re në lagjen e tyre. Nga komuna e Tetovës thonë se janë angazhuar maksimalisht që të gjendet lokacion për shkollën në Reçicë të vogël.
“Në vijim e sipër janë duke u zhvilluar punimet për ndërtimin e objektit shkollor në Reçicë të vogël, ku komuna e Tetovës ka përgatitur tërësisht projektin për aplikim, ka dhënë leje për ndërtimin e së njejtës dhe njëkohësisht ka gjetur edhe lokacionin.Punët tjera rreth ndërtimit të së njejtës janë në kompetencë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”, thonë nga zyra për informim në komunën e Tetovës për gazetën Koha.
Banorët e kësaj lagje shprehen se komuna së bashku me shtetin duhet që të mbajë premtimin dhe të mos zhagisë këtë projekt. ”Shpresojmë se kësaj radhe e kanë seriozisht dhe ky objekt që ka filluar të ndërtohet të përfundojë në kohë dhe pa asnjë pengesë. Kemi pritur shumë gjatë, më shumë se 8 vite kanë premtuar që fëmijët tanë nuk do të duhet që të udhëtojnë me kilometra që të shkojnë në shkollë, por tash do ta kenë pranë shtëpisë së tyre. Urojmë që të mbahet premtimi”, thonë banorët e kësaj lagje. Ndërtimi i kësaj shkolle shpesh herë ka qenë një ndër akuzat më të shpeshta që opozita shqiptare ia ka bërë Bashkimit Demokratik për Integrim, pasi që zyrtarët e kësaj partie disa herë kanë premtuar se do të ndërtohet shkollë.
Një premtim të këtillë kishte dhënë edhe kryetarja aktuale e komunës së Tetovës Teuta Arifi që në vitin 2013. Kërkesa për shkollë e banorëve të kësaj paralagje tetovare daton që moti, pasi që fëmijët e tyre udhëtojnë me kilometra për të arritur në shkollë, respektivisht në shkollën fillore Naim Frashëri. Duke arritur në këtë shkollë, fëmijët e vegjël hasin në shumë vështirësi, sidomos në vjeshtë dhe dimër kur duhet nëpër rrugë pa ndriçim publik të kthehen nëpër shtëpi, duke u rrezikuar edhe nga qentë endacak por edhe nga automjetet duke e kaluar rrugën. Problem në vete poashtu është se shkolla fillore Naim Frashëri, është shkollë e cila ka mbi një mijë nxënës dhe është shumë e stërngarkuar ngase mësojnë fëmijë nga disa lagje të Tetovës, kurse me ndërtimin e shkollës në Reçicë të Vogël, pritet që të stabilizohet gjendja edhe në këtë shkollë. (koha.mk)