Shkup, 1 shkurt- Në dy muajt e fundit 40 të pastrehë janë përkujdesur në vendin e pranimit në Momin Potok të hapur për shkak të temperaturave të ulëta, ku kanë kaluar 692 net.
“Në periudhën nga 6 dhjetori i vitit të kaluar deri më 31 janar të këtij viti për shkak të temperaturave ekstreme të ulëta është hapur Vendi i pranimit për bujtje, i cili ka strehuar të pastrehë nga ora 20:00 në mbrëmje deri në orën 08:00 të mëngjesit. Në këtë periudhë gjithsej janë realizuar 692 bujtje nga ana e 40 të pastrehëve të cilët njëherit kanë marrë edhe vakte me çaj të ngrohtë”, kumtoi Kryqi i Kuq i Qytetit të Shkupit.
Nga gjithsej 692 bujtje, 610 bujtje janë realizuar nga ana e burrave dhe 28 bujtje nga ana e grave.
Nga 40 personat e pastrehë të përkujdesur, 34 janë burra, ndërsa gjashtë janë gra. Prej tyre 11 persona për herë parë kanë ardhur në këtë pikë për t’i marrë gjërat e nevojshme të cilat iu mungojnë.
Janë angazhuar ekipe të cilat ishin 24 orë të gatshëm për të reaguar në terren pas informacionit për persona të gjetur në rrugë në gjendje të rëndë shëndetësore nga ana e qytetarëve, policisë, ndihmës së parë mjekësore, qendrës klinike dhe të ngjashme. Në terren janë realizuar nëntë intervenime.
“Gjatë valës së ftohtë Kryqi i Kuq ka angazhuar 42 vullnetarë nga Ekipi për përgjigje gjatë katastrofave, si dhe shtatë persona nga shërbimi profesional pranë pikës për të pastrehë në Momin Potok. Gjatë temperaturave ekstreme të ulëta në pikën për të pastrehë, katër restorante të Shkupit kanë dhuruar supë të ngrohtë për këtë grup personash, ndërsa numër i madh i personave privatë kanë ndihmuar me veshje të ngrohtë dhe ushqim për këtë kategori të cenueshme”, thonë nga Kryqi i Kuq.
Ata në punë kanë angazhuar tre të pastrehë të cilëve njëherit u është ndihmuar edhe me pagesën e qirave mujore për strehim deri në rregullimin e statusit të tyre si të punësuar.