Ekspertët thonë se shteti nga lojërat e fatit – nga njëra anë po fiton shuma jo të vogla nga tatimi, po punësohen me mijëra njerëz, ndërsa nga ana tjetër – bastoret po mbijnë si kërpudhat pas shiut e që paraqesin edhe një fenomen shqetësues
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 22 shkurt – Qarkullimi i fitimit vjetor i kazinove në nivel vjetor në Maqedoni është më i lartë se 210 milionë euro. Nëse kësaj shume i shtohen edhe mbi 200 milionë euro që në vit i qarkullojnë bastoret sportive, del se ky biznes në vit po qarkullon mbi 400 milionë euro. Në ndërkohë, ekspertët thonë se shteti nga lojërat e fatit nga njëra anë po fiton shuma jo të vogla nga tatimi dhe po punësohen mijëra njerëz, ndërsa nga ana tjetër – bastoret po mbijnë si kërpudhat pas shiut e që paraqesin edhe një fenomen shqetësues dhe problem shoqëror, shkruan gazeta KOHA.
“Ekziston një dallim i madh kur dikush shkon të zbavitet në bastore, dukë vënë bast apo kur shkon në kazino për të njëjtën gjë. Mirëpo, është krejtësisht diçka tjetër kur dikush frekuenton këto vende për gati çdo ditë duke krijuar vartësi. Me fjalë të tjera, për një shoqëri është problem kur kalimi i tepërt në këto ambiente krijon patologji”, thotë profesori i Sociologjisë, Ilija Acevski. Sipas tij, luajtja e lojërave të fatit ndërlidhet me varfërinë dhe krizën në shoqëri, si dhe gjendjen aspak të lakmueshme sociale dhe ekonomike të njerëzve që shpesh kërkojnë që me vajtjen në bastore – të fitojnë më shumë të holla për të zgjidhur problemet e tyre. Ai shton më tej se kjo dukuri është prezente jo vetëm tek të rinjtë e papunë, por edhe tek shtresat e tjera të popullatës. Në Maqedoninë e Veriut, kohët e fundit ka pasur nisma të ndryshme që të ndryshohen dhe ashpërsohen ligjet e lojërave të fatit ngjashëm me shembujt në Kosovë dhe Shqipëri. Mirëpo, deputetët e LSDM-së dhe VMRO-së nuk i mbështetën ndryshimet dhe plotësimet ligjore para shpërbërjes së Parlamentit, edhe pse propozim-ndryshimet e dorëzuara nga BDI ka gati një vit që janë dorëzuar për miratim. Ndër të tjerash, në këto ndryshime ligjore kërkohej që objektet ku organizohen lojërat e fatit, të jenë tre kilometra jashtë vendit të banuar, të ndahen 5 për qind nga buxheti i lojërave të fatit për renovimin e objekteve me interes publik, si dhe të përgatitet Strategji kombëtar për edukim rreth rreziqeve që i shkakton bixhozi.
Propozim-ligji për lojërat e fatit kështu mbeti në labirintet parlamentare dhe ngeci më shumë se një vit në procedura të ndryshme, përkundër kërkesave të Lëvizjes Anti-Bixhoz për të mbrojtur, siç thonë ata, nga e keqja që i ka kapluar të rinjtë në vend.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e këtij biznesi thonë se nëse miratohet propozim-ligji për lojërat e fatit, rrezikohej vendi i punës i mbi 7000 të punësuarve, ndërsa mund të ulen edhe shifra e mbi 250 milionë euro tatime, të cilat kjo industri për çdo vit i paguan në arkën e shtetit. Ndryshe, studimet tregojnë se vartësia nga lojërat e fatit është një problem që mundon të gjitha shtetet evropiane. Në Gjermani, më shumë se 500 mijë qytetarë janë të varur nga lojërat e fatit, ndërsa mbi 3.7 milionë qytetarë bëjnë pjesë në grupin e rrezikuar nga vartësia e lojërave të fatit. Gjithashtu në Gjermani në vit – në lojërat e fatit harxhohen mbi 4 miliardë euro. Përveç basteve sportive dhe lojës onlajn-poker, kumari në lojërat e fatit është shumë i rrezikshëm. Rreth 75 për qind e atyre që kërkojnë ndihmë në qendrat gjermane të këshillimit,vijnë për shkak të lodrave të fatit. (koha.mk)