Qytetarët të cilët këto katër ditë të dhjetorit bënë pazare nëpër marketet më të mëdha të Shkupit, nuk vërejtën asnjë dallim në çmime në krahasim me muajin e kaluar. Ajo që është lehtë e dukshme, është fakti se prodhuesit dhe tregtarët me pakicë po kërkojnë mënyra për të vonuar vendimin e uljes së çmimeve
Besa IBRAIMI
Shkup, 6 dhjetor – Në ditët e para të dhjetorit nuk u vërejt ulje e madhe e çmimeve të larta të produkteve bazë ashtu siç pritej dhe u paralajmërua. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, çmimet e produkteve bazë do të duhej të paktën të ulen për 10 për qind sesa çmimet e deritanishme. Kjo do të duhej të vlente për bukën, mishin dhe produkte e qumështit, sidomos pas subvencionimit të energjisë elektrike që është ofruar nga Qeveria për prodhuesit. Qytetarët të cilët këto katër ditë të dhjetorit bënë pazare nëpër marketet më të mëdha të Shkupit, nuk vërejtën asnjë dallim në çmime në krahasim me muajin e kaluar. Ajo që është lehtë e dukshme, është fakti se prodhuesit dhe tregtarët me pakicë po kërkojnë mënyra për të vonuar vendimin e uljes së çmimeve. Në vend të çmimeve më të ulëta, ajo për të cilën njoftohen konsumatorët nga ana e mullisëve dhe furrtarëve është se çmimi i bukës do të bie, por që kjo do të ndodh në mënyrë “graduale”. Deklarata të njëjta jepen edhe nga pëpunuesit e prodhimeve të qumështit, të cilët vonesën me uljen e çmimeve e arsyetojnë me zgjatjen e procesit të prodhimit.
Ajo që njoftojnë nga Industria për prodhimin dhe përpunimin e mishit është se në fillim të dhjetorit – ka pasur ulje të pamjaftueshme prej vetëm 5 për qind të çmimit të mishit të pulës dhe derrit, ndërsa te mishi i viçit nuk ka pasur ndryshime.
Pritjet e qytetarëve për uljen e çmimeve të ushqimit janë reduktuar në premtime boshe, pasi edhe me tentativat e mëparshme për uljen e çmimeve nëpërmjet marzhës së kufizuar, nuk pati rezultate të pritshme. Nga Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorit thonë se është i pamundur monitorimi i të gjitha çmimeve të të gjitha produkteve, ndërsa përgjegjës për (mos)respektimin e vendimit për ulje të çmimeve për shkak çmimit të subvencionuar është Inspektorati Shtetëror i Tregut. Ndërkohë, në marketet e vendit shumë lehtë dallohet revolta e qytetarëve të cilët ndjehen të mashtruar për shkak të mos-ndryshimit të çmimeve. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, gjatë periudhës së kaluar kërcënoi me sanksione për kompanitë që nuk do të ulin çmimet e ushqimeve pavarësisht që Qeveria do të ofrojë energji elektrike të subvencionuar.
“Në përputhje me vendimet e Qeverisë për çmimin e subvencionuar të energjisë elektrike për kompanitë nga industria ushqimore, pritet që nga 1 dhjetori të fillojë edhe ulja e çmimeve të produkteve ushqimore bazë. Çmime më të ulëta të bukës së bardhë kemi në disa furra të vendit, si dhe ulje të çmimit të qumështit në disa qumështore. Ajo që presim është se në periudhën e ardhshme – të kemi ulje të mëtejshme të çmimeve edhe te prodhuesit tjerë nga industritë e mishit, qumështit dhe furrave. Sigurisht, duhet pasur parasysh faktin se disa tregje të caktuara kanë rezerva të produkteve prej më herët, por në periudhën në vazhdim presim stabilizimin dhe uljen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë deri në 10%”, tha javë më parë ministri Bekteshi.
Megjithatë, nga Industria e Mullisëve thonë se e sigurt është ajo që do të ketë ulje të çmimit të bukës, por që kjo do të ndodhë gradualisht. Edhe ata të Industrisë së Qumështit arsyetohen me rritjen e çmimit të ushqimit për kafshët, si dhe rritjen e blerjes së qumështit për 40 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Disa nga këto kompani as nuk kanë aplikuar për çmim të subvencionuar të energjisë elektrike, kështu që ju jepet hapësira të vazhdojnë me shitjen e produkteve me çmime më të larta. Nga Oda Ekonomike sqarojnë se Industria e qumështit është specifike për shkak të proceseve të gjata të prodhimit disa mujor. “Fermentimi për disa nga produktet si djathi zgjatë nga dy deri në tre muaj. Ajo që tani do të prodhohet në industrinë e qumështit, do të fillojë të shitet nga janari, produktet e lira të energjisë elektrike do të fillojnë të shiten pas Vitit të Ri. Pak më ndryshe është në Industrinë e furrës, ku më shpejt mund të ndjehen efektet pozitive dhe uljet e çmimeve”, thanë nga Oda Ekonomike, ndërsa shprehen se çdo kompani do të bëj uljen e çmimeve në varësi të përqindjes së pjesëmarrjes së energjisë elektrike në produktin final, por me kushtin që çmimet e lëndëve të para dhe ambalazheve të mbeten të njëjta.
“Nëse nga ana e Qeverisë merret vendim për heqjen e taksës për lëndët e para të importuara, ulje të çmimit mund të parashihet edhe për produktet e mishit”, thonë në Odën Ekonomike. Megjithatë, dhjetëra kompanive nga Industria e mishit u janë refuzuar kërkesat për energji të subvencionuar pasi kanë fotovoltaikë. (koha.mk)