Tetovë, 2 korrik – Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në Zonën Zhvillimore Teknologjike-Industriale në Tetovë e vizitoi objektin në ndërtim të kompanisë “Glas Fleks”, i krijuar me kapital maqedono-kroat. Në fabrikën prej 9000 metra katrorë pritet që nga tetori të fillojë prodhimi i qelqit me punësimin e 300 personave. “Ne do të përpiqemi dhe do të jemi të përkushtuar që t’ia përmbushim të gjitha kushtet investitorit privat këtu në Tetovë me qëllim që të tërhiqen gjithnjë e më shumë investitorë në këtë zonë që nuk do të ndikojë vetëm në zhvillimin e komunës së Tetovës por edhe të gjithë rajonit të Pollogut. Ne do të vazhdojmë të krijojmë politika të tilla dhe të bëjmë investime të tilla me qëllim që të hapen vende të reja të punës dhe të investohet sa më shumë në këtë rajon, ndërsa kjo do të ndikojë në përmirësimin e standardit jetësor të të gjithë qytetarëve që jetojnë në këto komuna. 80 për qind e prodhimtarisë do të jetë për eksport, do të ketë disa efekte pozitive nga investimet e tilla dhe unë jam i bindur se ky do të jetë vetëm fillim dhe se këtë vit do të kemi rast që sa më shumë investitorë të vijmë dhe t’i vizitojmë në këtë zonë”, tha ministri Kreshnik Bekteshi.
Objekti i “Glas Fleks SHPKNJP” nga Shkupi është në 9.000 metra katrorë, ndërsa do të prodhohen disa lloje të specializuara të qelqit. “Objekti ka filluar në fund të vitit 2018 dhe deri në fund të këtij muaji do të përfundojë. Deri në muajin gusht duhet të vendosen punët instalative brenda dhe të arrijnë makinat të cilat janë me prejardhje nga Finlanda, Italia si dhe të montohen makinat. Në shtator do të kemi inspektim të makinave dhe në tetor shpresojmë se do të fillojmë me prodhim. Ky lloj i fabrikës në Ballkan është i vetmi me makina të tilla bashkëkohore. 80 për qind e prodhimtarisë do të eksportohet, 20 për qind për tregun vendor”, deklaroi Goce Peshev, projekt menaxher i objektit.
Arben Halili nga kompania Normak e cila menaxhon me ZZHTI Tetovë, thotë se nxitje shtesë paraqet fakti që vetë ministri nga afër i ndjek punimet dhe njëkohësisht investimi i ri që realizohet në kuadër të zonës së lirë ekonomike. “Kjo është pasqyrë e mirë se në këtë zonë realisht mund të vijnë investitorë seriozë të cilët dëshirojnë që qëllimet e tyre strategjike t’i zhvillojnë edhe bizneset e tyre”, tha ai. Në fazën e parë të fabrikës për qelq janë paraparë 300 punësime me mundësi për rritjen e numrit. (U.H)