Profesionistët paralajmërojnë se mënyra moderne e jetesës dhe varësia nga interneti dhe videolojërat rrit agresionin dhe dhunën tek të miturit. Ata mund të jenë shumë të zgjuar, por edhe jashtëzakonisht të shkëputur nga rrethina e tyre pa asnjë ndërveprim shoqëror
Llausha ZENUNI
Shkup, 5 maj – Një nxënës i qetë dhe i shkëlqyer, i talentuar dhe fitues i çmimeve të garave shkollore. Si u bë nxënësi i klasës së shtatë nga Beogradi në një vrasës monstruoz? Profesionistët paralajmërojnë se mënyra moderne e jetesës dhe varësia nga interneti dhe videolojërat rrit agresionin dhe dhunën tek të miturit. Ata mund të jenë shumë të zgjuar, por edhe jashtëzakonisht të shkëputur nga rrethina e tyre pa asnjë ndërveprim shoqëror.
“Kultura rinore e dhunshme vjen si pasojë e dhunës së masovizuar dhe të mediatizuar në mënyrë ekstreme, të shndërruar në pjesë të pamësisë sonë të çdoditshme. Nga filmat televiziv holivudianë (Terminator, Kill Bill) dhe të tjerë si (p.sh. Lugina e ujqërve), madje edhe ata vizatimorë (japonezo-koreanë: Dragon Ball Z), e deri te lojërat e ndryshme onlajn që luhen ka prezencë të hatashme të dhunës. Imagjinoni Playstation që ua blejmë fëmijëve tanë për t’i gëzuar shndërrohet në ‘mini-fabrikë të dhunës’, përfshin ‘Blodroots’ (Rrënjët e gjakut), ‘Don’t be Afraid’ (Mos u frikëso), ‘Part Hard’, ‘Sturmfront: The Mutant War’, ‘The Hong Kong Massacre’ që lidhen me shprehjet ‘monster’ (monstra), ‘maniacal carnage’ (kërdi maniakale), ruinnig parties (prishje e argëtimeve), ‘bullet hell’ (ferr plumbash), masakrën, ‘hard-boiled revenge story’ (tregimi për hakmarrjen e ashpër) etj.”, thotë Ali Pajaziti, sociolog.
Një faktor shtesë është edhe dobësimi i raportit mes fëmijëve dhe familjarëve, thotë Pajaziti. “Shkëputja e lidhjeve mes brezave, mes gjyshit-gjyshes dhe nipave-mbesave, që dikur edukonin fëmijët më rrëfime të kuptimta dhe plot urtësi është një shkaktar tjetër i violencës rinore. Pra rrëmimi i familjes, distanca dhe humbja e ngrohtësisë së çerdhes familjare. Shkollimi i degraduar, zbehja e vlerës së arsimit dhe e imazhit të mësimdhënësit që në kohën tonë ishin kult. Sot fëmijët nuk marrin si shembull mësuesin apo mësuesen e tyre por kriminelin apo prijësin e bandës në rrugë që ka bërë lekët, veturën dhe shtëpinë grandioze. Në Serbi gabimi qëndron edhe në afirmimin e kriminelëve si Millosheviç, Karaxhiç, Haxhiç, që janë afirmuar që 30 vite. Nëse tifogrupet “Varrmihësit” (Grobari) dhe “Të çmendurit” (Delije) janë aktorët kryeimazhet rinore në një shoqëri, natyrisht që nuk do ketë frymim pozitiv. Në përgjithësi: kemi një inversitet të vlerave shoqërore. Ky fenomen është global. Modernizmi është në krizë të madhe. Erdhi me motot liri, barazi, drejtësi, përparim, progres, ndërsa ka sjellë vetëm standard ekonomik, jo edhe qetësi e rehati shpirëtrore, jo paqe”, përfundon sociologu Ali Pajaziti.
Kryetari i Gjykatës Themelore të Kavadarit dhe njëherit edhe kryetarë i Këshillit Shtetëror për Parandalimin e Dhunës ndaj Delikuencës së të Miturve, dr. Lazar Nanev, ka thënë se rreth 25 deri në 30 për qind e nxënësve të shkollave të mesme kryejnë një formë të dhunës ndaj bashkëmoshatarëve të tyre, sipas një analize të sektorit joqeveritar të bërë vitin e kaluar në vend. “Sipas kësaj analize shqetësuese, rreth 14 për qind e fëmijëve konfirmojnë se kanë qenë viktima të dhunës së bashkëmoshatarëve apo bullizmit për një periudhë të gjatë kohore”, thekson Nanev.
Ai shton se fëmijët që kryejnë vepra të tilla, përballen me mungesë të vëmendjes. “Dhuna nga bashkëmoshatarët është një temë që ka marrë vëmendje gjatë periudhës së kaluar, nga avokatët, psikologët, edukatorët, veçanërisht nga sektori joqeveritar. Fëmijët që kryejnë këtë lloj dhune zakonisht duan të tërheqin vëmendjen. Në fillim ka pasur vetëm dhunë verbale dhe fizike nga bashkëmoshatarët, me tallje, por tani ka edhe dhunë psikologjike me kërcënime, dhunë përmes rrjeteve sociale. Kjo dhunë e bashkëmoshatarëve, nëse nuk njihet dhe parandalohet, zgjat derisa viktima e bullizmit të dalë me një reagim të duhur. Ndonjëherë, ai reagim mund të jetë po aq serioz sa vetë ngacmimi. Prandaj është e nevojshme të veprohet në mënyrë parandaluese në familje dhe shkolla, të njihet dhuna e mundshme e bashkëmoshatarëve dhe të reagohet me kohë”, përfundon Nanev. (koha.mk)