Tajvani duket se ka nisur të përgatitet për konflikt me Kinën, i paralajmëruar prej kohësh tanimë. Ndërsa marrëdhëniet midis Kinës dhe SHBA-së po tensionohen gjithnjë e më shumë, shumë analistë janë gjithnjë e më të shqetësuar se një konflikt mund të jetë në horizont dhe se marrëdhënia midis Tajvanit dhe SHBA-së do të jetë një faktor i rëndësishëm për të ndikuar nëse dhe kur Kina të përpiqet të aneksojë ishullin vetë-qeverisës.
CIA beson se udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, i ka thënë ushtrisë që të jetë gati për të pushtuar Tajvanin deri në vitin 2027. Në takimet vjetore parlamentare të Kinës në mars, Xi tha se do ta ndërtonte ushtrinë e Kinës në një “mur të madh çeliku”, por theksoi se ka nevojë për një “zhvillim paqësor të marrëdhënieve ndërmjet ngushticave”. Kina tashmë ka forcat më të mëdha të armatosura në botë, me rreth 2 milionë personel aktiv. Marina e saj është gjithashtu më e madhja në botë, me rreth 355 anije aktive krahasuar me 296 të Amerikës.
Por, edhe pse krenohet me forcat më të mëdha të armatosura në botë, ushtarët e saj nuk kanë praktikisht asnjë përvojë luftarake.
Hera e fundit që vendi ishte në luftë ishte kur Kina pushtoi Vietnamin në vitin 1979, ndaj nuk pritet që pushtimi i ishullit të jetë punë e lehtë. Blake Herzinger, një ish-oficer i zbulimit të marinës amerikane, i cili tani është anëtar i Qendrës së Studimeve të Shteteve të Bashkuara, vëren se udhëheqësit kinezë janë të vetëdijshëm për këto sfida dhe janë fokusuar në përmirësimin e cilësisë së trupave të tyre. “Asgjë nuk do të jetë e thjeshtë. Por, është e rrallë, në histori, që një marinë apo ushtri të ndërtohet dhe të modernizohet kaq shpejt pa një arsye të vërtetë për ta bërë këtë”, përmbyll Blake Herzinger.