Një nga dy fëmijë në Maqedoni është i dhunuar fizikisht që në krahasim me Kosovën, kjo përqindje është më e lartë, ndërsa me Shqipërinë – është më e ulët. Vetëm në rajonin që mbulon Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, janë evidentuar gjithsej 65 vepra penale, ose 14 më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë kohore të vitit paraprak, numri më i madh i të cilave janë zbardhur dhe rrumbullaksuar me 44 akuza penale
Urim HASIPI
Tetovë, 30 tetor – Të miturit gjithnjë e më shumë po bëhen agresiv, të cilët janë kryerës të veprave e që kanë të bëjnë me prishjen e rendit dhe qetësisë publike. Këtë e tregojnë nga Qendra për Punë Sociale në Tetovë, prej nga thonë se viteve të fundit, të miturit gjithnjë e më shumë janë problematik. Sipas psikologes Olivera Cvetkovska, nga Qendra për Punë Sociale në Tetovë, dominojnë përleshjet fizike mes të miturve për çështje banale. Ajo thotë se kjo është dukuri që ka të bëjë me sjelljen agresive të prindërve, shkruan gazeta KOHA.
“Prindër agresiv lindin fëmijë agresiv. Fëmijët rriten në një bashkësi ku gjithnjë ka sjellje agresive dhe nëse nëna sillet në mënyrë agresive, kur është shtatzënë, ajo ndikon edhe në rritjen e fëmijëve dhe prandaj edhe fëmijët janë agresivë”, thotë Cvetkovska. Sipas saj, prindërit duhet që në mënyrë më të mirë të sillen me fëmijët.
“Duhet që prindërit të sillen më mirë me fëmijët, të mos shfaqin agresivitet në familje, por edhe duhet që fëmijët të shmangen nga skenat e agresivitetit edhe në rrethinën ku jetojnë. Po ashtu, edhe nëpër shkolla duhet që kur të sillet Kodi i sjelljes dhe i njëjti të bëhet në bashkëpunim me fëmijët, sepse ata në të ardhmen – vetë do respektojnë atë Kod, por jo të vendoset një kod i imponuar”, shprehet Cvetkovska.
Ajo sqaron se kohëve të fundit shënohet rritje e sjelljeve agresive dhe përleshjeve fizike mes moshatarëve dhe më pas, prindërit po i sjellin fëmijët në këtë qendër. Sipas saj, 70 për qind e fëmijëve agresiv apo të dhunshëm që janë sjellë në këtë qendër, ndaj tyre është përdorur dhunë ose agresivitet. “Deri tek kjo vjen si pasojë se mospërmbushjes së kërkesave ndaj fëmijëve, ngase jeta dinamike, jeta përplot sfida tek prindërit, ka bërë që ata të mos kenë kohë që shumë kohë tu kushtojnë fëmijëve. Prandaj, duhet që të punohet shumë me fëmijët, sepse në të kundërtën, do të kemi fëmijë potencial të prirur për tu sjellur në mënyrë agresive dhe për të kryer vepra të ndryshme në rrugë”, deklaroi ai. Përndryshe, një nga dy fëmijë në Maqedoni është i dhunuar fizikisht që në krahasim me Kosovën, kjo përqindje është më e lartë, ndërsa me Shqipërinë – është më e ulët. Këto janë të dhëna statistikore të një hulumtimi që ka realizuar UNICEF-i në disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat i bëri të ditura përfaqësuesi nacional i UNICEF-it në Maqedoni Benjamin Perks.
“Sa i përket dhunës ndaj fëmijëve, ne kemi realizuar një hulumtim në Ballkanin Perëndimor dhe të dhënat e përgjithshme të këtij hulumtimi tregojnë se një në tre fëmijë është i dhunuar fizikisht, ndërsa në vendin tuaj, përqindja e dhunës ndaj fëmijëve është më e madhe, gjegjësisht një nga dy fëmijë është i dhunuar fizikisht. Nëse bëjmë një krahasim me shtetet tjera të Ballkanit, dhuna fizike tek fëmijët në vendin tuaj është në përqindje më të lartë se në Kosovë, ndërsa në përqindje më të ulët se në Shqipëri, atje ku dhuna fizike ndaj fëmijëve është më e përhapur. Sa i përket mospërfilljes së fëmijëve nga aspekti emocional, hulumtimi tregon se tre fëmijë janë të mospërfillur në këtë mënyrë”, deklaroi përfaqësuesi nacional i UNICEF-it në Maqedoni, Benjamin Perks.
Hulumtimet e deritanishme tregojnë se çdo fëmijë i cili i është nënshtruar dhunës 10 herë më shumë ka rrezik të jetë një përdorues i alkoolit, tre herë më shumë ka gjasa të ketë sëmundje të zemrës, por edhe që të jetë një duhanpirës. Sa i përket dukurisë së delikuencës së të miturve, vitin e kaluar në rajonin që mbulon Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë janë evidentuar gjithsej 65 vepra penale, ose 14 më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë kohore të vitit paraprak, numri më i madh i të cilave janë zbardhur dhe rrumbullaksuar me 44 akuza penale.
Në këto vepra, tregojnë analizat e Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, gjithsej janë të përfshirë 90 të mitur, mes të cilëve numri më i madh prej tyre janë të mitur të cilët kanë përsëritur po të njëjtën vepër penale, të cilët disa herë kanë marrë pjesë në kryerje të vjedhjeve, jo rrallë herë janë angazhuar dhe udhëzuar nga persona më të rritur, të cilët kanë qenë frymëzuesit dhe kanë ndihmuar ato në kryerjen e këtyre veprave penale. (koha.mk)