Përfaqësuesi i lartë në BeH, Kristian Shmit sot i bëri thirrje Këshillit të ministrave të BeH që të miratojë paratë për financimin e zgjedhjeve të përgjithshme pasi afati ligjor skadon sot, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paralajmëroi se disa përgatitje duhet të anulohen, për shkak të mungesës së parave.
“Vota është e drejtë themelore e qytetarëve në një shoqëri demokratike, kurse financimi i zgjedhjeve është obligim ligjor. U bëj thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit të ministrave të përfundojnë punën e tyre dhe të miratojnë mjetet”, shkroi përfaqësuesi i lartë në një postim në Tuiter.
Këshilli i ministrave nuk u dakordua të martën me një vendim të veçantë për të ndarë 12.5 milion marka (rreth 6.3 milion euro) për financimin e zgjedhjeve.
Zyrtarët kroatë nga HDZ BeH ishin kundër kurse ministri i tyre i Financave dhe thesarit Vjekoslav Bevanda argumentoi se një vendim i tillë ishte kundër ligjit sepse BeH nuk ka buxhet të miratuar.
Ministrat serbë dhe boshnjakë votuan pro vendimit, por ai nuk u pranua sepse të tre ministrat kroatë ishin kundër.
Sot skadon afati prej 15 ditësh për miratimin e parave për mbajtjen e zgjedhjeve, të parashikuar nga Kodi Zgjedhor, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim për shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme më 2 tetor të këtij viti.
Ambasada e SHBA-së e kritikoi HDZ-në e BeH-së për mospërkrahjen e vendimit të Këshillit të ministrave për ndarjen e parave për zgjedhjet, ndërsa delegacioni i Komisionit Evropian në BeH bëri thirrje për zgjidhjen sa më të shpejtë të mosmarrëveshjeve në lidhje me procesin zgjedhor.
Kryetari i Këshillit Evropian Sharles Mishel nesër mbërrinë në Sarajevë dhe pritet të jep stimul për një marrëveshje midis partive kroate dhe boshnjake mbi kodin zgjedhor.