Numri i madh i qytetarëve të cilët kërkojnë drejtësi para Gjykatës Evropiane për të drejtat dhe lirit e njeriut në Strasburg, sipas Raportit vjetor për ekzekutimin e vendimeve të kësaj gjykate nxjerr në pah gjendjen e katandisur në vend, kur bëhet fjalë për lirit dhe të drejtat e njeriut
Destan JONUZI
Shkup, 10 qershor – Maqedonia e Veriut gjendet në vendin e nëntë sipas numrit të ankesave të adresuara nga qytetarët në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut, nga 77 vendet-anëtare të Këshillit të Evropës (KE), shkruan gazeta KOHA. Deri në fund të vitit të kaluar numri i qytetarëve të cilët janë drejtuar Gjykatës Evropiane për të kërkuar drejtësi pasi që atë nuk e gjetën në vendin tonë ka qenë 370, ndërsa në procedurë kanë mbetur 339 ankesa, nga të cilat për 234 gjykata ka marrë vendim.
Në vitin 2018, 239 ankesa nuk janë pranuar të shqyrtohen nga Gjykata për shkak të mos përmbushjes së kritereve. Këto të dhëna, para Komisionit Anketues parlamentar për të drejtat dhe lirit e qytetarëve, e ka deklaruar ushtruesja e detyrës drejtoreshë e Byrosë për përfaqësimin e Maqedonisë së Veriut para Gjykatës për drejtat e njeriut në Strasburg, Danica Xhonova, duke prezantuar raportin vjetor për punën e Komisionit për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut për vitin 2018.
Kundër Maqedonisë së Veriut në Gjykatën e Strasburgut vitin e kaluar janë miratuar 12 akte gjyqësore për 15 lëndë. Shteti në bazë të gjykimeve të humbura për vitin e kaluar duhet të paguaj dëmshpërblim prej 124.900 euro që paraqet rritje në krahasim me dy vitet e mëparshme (2016/2017), numri i kësaj shume pritet të rritet edhe më tej duke pasur parasysh se disa nga lëndët ende janë në procedurë. Në këtë Raport theksohet se numri i madh i ankesave kundër shtetit mund të interpretohet si mungesë e besimit të qytetarëve në institucionet e vendit, kur bëhet fjalë për lirit dhe të drejtat e njeriut.
Xhonova, e cila para deputetëve, prezantoj disa nga ankesat më specifike dhe vendime të Gjykatës së Strasburgut për vitin e kaluar, ka kërkuar nga të zgjedhur e popullit që të bëjnë ndryshime në Kodin Penal dhe Ligjin për procedurë penale. (koha.mk)