Urim HASIPI
Tetovë, 20 mars – Ka kaluar një vit që kur u promovua projekti për ndërtimin dhe rregullimin e trotuareve në pjesën qendrore të qytetit të Tetovës. Që atëherë e deri më sot, një pjesë e trotuareve nuk janë përfunduar. Bëhet fjalë në pjesën afër tregut të gjelbërt dhe përballë Qendrës për Kulturë në Tetovë, shkruan gazeta KOHA. Tashmë gati se një vit ndërtimi i trotuareve nuk përfundon. Punët u ndërprenë disa herë, edhe atë për shkak të zgjedhjeve lokale, së dyti për shkak të kushteve klimatike, dhe së treti – për shkak të borxhit ndaj realizuesit të projektit dhe mungesës së pllakave të bekatonit.
Sipas informacioneve nga Komuna e Tetovës, tashmë është bërë një pjesë e pagesës dhe pritet që të rifillojë rregullimi i trotuareve në fund të këtij muaji. Arsim Nuredini, udhëheqës i Sektorit për Tokë Ndërtimore dhe Komunikacion në Komunën e Tetovës thotë se në fund të këtij muaji pritet që punët të vazhdojnë.
“Janë tejkaluar disa probleme që kemi patur me pagesën dhe tashmë kur edhe kushtet klimatike lejojnë që të kryhen punët, mendojmë se do të rifillohet shumë shpejt të punohet. Ne kemi dërguar kërkesë edhe në policinë e Tetovës, gjegjësisht tek stacioni për siguri në komunikacionin rrugor që të jep leje pasi duhet të kemi edhe rregullim të komunikacionit përderisa kryhen punët. Presim që shpejt policia të jap përgjigje dhe të vazhdohet me përfundimin e punëve”, deklaroi Nuredini. Më vështirë është përballë Qendrës për Kulturë, ku ende nuk janë vendosur pllakat e bekatonit dhe këmbësorët kalojnë nëpër rërën e shtruar, e cila përveçse krijon vështirësi gjatë lëvizjes së qytetarëve, po ashtu jep edhe një imazh të keq për qytetin në pjesën qendrore. Në pranverën e vitit të kaluar, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, paralajmëroi trotuare modern, por ky projekt ende nuk ka përfunduar.
“Ky projekt do të ofrojë një pamje të re estetike dhe funksionale të hapësirave për qarkullim të këmbësorëve përgjatë bulevardit Iliria dhe pjesës së bulevardit të Ilindenit në pjesën e Postës në Tetovë. Gjithsej bëhet fjalë për rregullim të hapësirës publike në sipërfaqe prej 15.000 metër katrorë, ku përveç shtigjeve dhe zhardinierave të ngritura për gjelbërim, do të bëhet edhe vendosja e gjithsej 73 shtyllave për ndriçim publik, 12 fontaneve me ujë për pije, 75 mbrojtës metalik për trungjet e drunjve, 22 shporta për mbeturina, 32 kontruksione për parkim të biçikletave, si dhe 233 ulëse të drurit për qytetarët”, kishte deklaruar atë kohë kryetarja Arifi. Banorët ankohen se gati se një vit janë hapur punët dhe nuk është vazhduar asgjë më tej, duke u përballur me pluhur dhe baltë. Më vështirë është gjatë këtyre muajve kur ka të reshura të shiut dhe këto pjesë janë të pakalueshme.
Një vit më parë ishte premtuar se kjo pjesë do të ketë krejt pamje tjetër dhe do të jetë në shërbim të qytetarëve të Tetovës për të lëvizur më lirshëm, ndërsa nga ana tjetër – edhe pronarët e lokaleve dhe bizneseve në atë pjesë janë ankuar se dukshëm është zvogëluar qarkullimi i qytetarëve për shkak të mos rregullimit të tyre. Nga komuna nuk kanë dalur me qëndrim të prerë për përfundimin e punëve, por kanë nënvizuar se punohet në përfundimin e të njëjtave. (koha.mk)