Shkup, 2 maj – Zëdhënësi qeveritar Mile Boshnjakovski thotë se nuk do të lëshojnë pe për masat e sjella pas paraqitjes së epidemisë së fruthit dhe se nga ky vit shkollor nuk do të regjistrohen nxënësit në klasën e parë për të cilët nuk do të dorëzojnë kartelën e vaksinimit.
“Vaksinimi është i detyrueshëm. Në klasën e parë nuk do të mund të regjistrohen fëmijët të cilët nuk janë të vaksinuar. Ligji për arsim fillor neni 46, paragrafi 2 është i qartë”, tha Boshnjakovski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në pres konferencë për vendimet e seancës së rregullt të Qeverisë.
Boshnjakovski përkujtoi se për shkak të gjendjes së fruthit Qeveria shpalli epidemi në territorin e gjithë shtetit. Ai njoftoi se vaksinimi në terren i Ministrisë së Shëndetësisë zhvillohet sipas dinamikës së planifikuar dhe se në këto aktivitete ka koordinim me Ministrinë e Arsimit.
“Duhet patjetër ta ngremë shkallën e imunitetit të të gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut me qëllim që ta ndalojmë epideminë e fruthit. Këto janë masa të cilat realizohen dhe nuk ka përjashtime”, theksoi Boshnjakovski.
Njëkohësisht potencoi se arsimi fillor është i obligueshëm dhe se fëmijët duhet dhe do të shkojnë në shkollë. (koha.mk)