Shkup, 4 korrik – Te delet dhe dhitë në Maqedoni nuk u evidentua sëmundja “murtaja”, që u konfirmua më 22 qershor në Bullgari. Ne terren zbatohet monitoring dhe nëse vërehen çfarëdo simptome, do të reagohet në mënyrë adekuate, kumtoi sot drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV), Zoran Atanasov.
Sipas tij, po ndërmerren masa që në mënyrë parandaluese të ngrihet vetëdija në nivel më të lartë dhe zbulimi i sëmundjes, nëse rastësisht paraqitet, të jetë me kohë.
“Po ndërmerren të gjitha masat, është vendosur edhe ndalesë për import dhe transit të deleve, dhive dhe prodhimeve të tyre. Në Bullgari sëmundja është vendosur nën kontroll, vatra të reja nuk ka dhe rreziku është vendosur në minimum”, tha Atanasov pas ngjarjes me të cilën edhe zyrtarisht përfundoi projekti i AUV-së për kontroll më efikas i sigurisë së ushqimit dhe përforcimit të institucioneve në këtë drejtim.
Nikolla Bertolini nga Delegacioni i BE-së në Shkup theksoi se përparim i veçantë është arritur në politikën fitosanitare, por, siç tha, mbetet edhe shumë punë në pjesën e sigurisë së ushqimit që duhet të vazhdojë edhe pas përfundimit të projektit.
Projekti me vlerë 751,473 euro zbatohej një vit e gjysmë, ndërsa qëllimi ishte përforcimi i ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së prodhimeve të Maqedonisë në tregun evropian, si dhe garantimin e mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve përmes sigurimit të standardeve të larta për siguri të ushqimit.