“Unë pres një ndeshje të vështirë , pasi që edhe për Pelisterin, ndoshta është gjasa e fundit për mbijetesë dhe të mbeten në Ligën e Parë. Do të përsëris, ne nuk kemi të drejtë të kalkulojmë , të bëjmë kiks, nëse dëshirojmë që të mbetemi në luftë për vendin e tretë ose të katërt që sjell kualifikim për Evropë
Bujar KURTAJ
Shkup, 9 maj – Skuadra e FC Shkupi sot (e mërkurë) në stadiumin në Çair do të zhvillojë ndeshjen e mbetur të javës së 26 ndaj Pelisterit. Ndryshe, kjo do të jetë njëra nga dy duelet që do ti zhvillojnë këto dy ekipe, pasi ato do të përballen njëra kundër tjetrës në Manastir në javën e parafundit të Ligës së parë futbollistike të Maqedonisë. Për të dyja skuadrat pikët janë më se të nevojshme, andaj pritet të zhvillohet një “luftë” e madhe në fushën e gjelbër. Favorit në letër janë bardhekaltërit, por atë duhet ta dëshmojnë në fushë, derisa nuk kanë të drejtë të gabojnë, pasi në të kundërtën do të humbnin gjasat për plasman në Liga Evropë.
Sulmuesi i FC Shkupi, Bllazhe Ilijoski pranon se përballja me Pelisterin do të jetë e vështirë, pasi sipas tij edhe skuadra nga Manastiri sot do ta ket mundësinë e fundit për mbijetesë në Ligën e parë. “Unë pres një ndeshje të vështirë , pasi që edhe për Pelisterin, ndoshta është gjasa e fundit për mbijetesë dhe të mbeten në Ligën e Parë. Do të përsëris, ne nuk kemi të drejtë të kalkulojmë , të bëjmë kiks, nëse dëshirojmë që të mbetemi në luftë për vendin e tretë ose të katërt që sjell kualifikim për Evropë. Një gjë e dijë se sot duhet të japim maksimumin dhe shpresojë që do të festojmë fitoren së bashku me ‘Shvercerët’ dhe do ti gëzohemi atyre tre pikëve të mëdha me të cilat, duke ditur se çfarë duele kanë kundërshtarët, do të na hapen rrugët për në Evropë”, u shpreh Ilijoski.
Ai thotë se ai dhe shokët e skuadrës nuk janë nën presion. “Nuk kemi presion, mirëpo vetëm duke menduar se nga nga katër ndeshje na duhen 12 pikë sjell vetvetiu presion. Edhe për ndeshjen e sotme e dimë se vjen ekipi në fund të tabelës dhe këto ndeshje sipas eksperiencës time janë ndeshjet më të vështira, pasi pres që ata të shtrihen, që të mos lejojmë të ketë futboll dhe vetëm kjo mund të na nxjerr nga binaret. Mendojë se me gol të shpejtë do të mbarojmë punën”, shtoi më tej sulmuesi i Shkupit.
Kur jemi te referimi, Ilijoski thotë se ndaj Pelisterit nuk do të përsëritet i njëjti skenar si me Sileksin. “Shpresojë se nuk do të ketë skenar si me Sileksin dhe referët do të shpejtojnë ndeshjen dhe nuk do të lejojnë që të bëjnë një gjë të tillë, që të na nxjerrin nga binaret”.
Në fund Ilijoski bën edhe matematikat e tij sa i përket plasmanit në Liga Evropë. “Të kishim shënuar fitore të dielën ndaj ‘Skopjes’, 90 për qind do të ishim në Evropë. Dhe mund të them se ndoshta edhe 100 për qind. Me atë fitore ndaj ‘Skopjes’ , gjithçka do të varej nga ne dhe tani nuk varet gjithçka nga ne. Aq sa varet nga ne, varet edhe nga të tjerët, ashtu që ky është i vetmi problem. Edhe nëse fitojmë të gjithë ndeshjet , do të varet edhe nga kundërshtarët. Andaj nëse shënonim fitore ndaj ‘Skopjes’, asgjë nuk do të varej nga ata, dhe gjithçka do të varej nga ne. Unë jam një optimist i madh dhe shpresojë se ashtu do të bëhet dhe ne do të jemi në garat evropiane”, përfundoi Ilijoski.
Ndeshja Shkupi – Pelisteri zhvillohet në stadiumin në Çair me fillim në ora 16.30.