Shkup, 21 shkurt – Ka përfunduar pa fitues përballja e parë e çerekfinale ndërmjet Vardarit dhe Shkëndijës, njofton gazeta KOHA. Pas 90-të minutave të para në arenën “Filipi i dytë”, rezultati është 1-1, derisa skuadra gjysmëfinaliste do të vendoset më 7 mars në stadiumin e qytetit në Tetovë. Gjatë 90-të minutave djemtë e trajnerit Qatip Osmani ishin kundërshtar më i mirë, krijuan më shumë raste për gol, por arritën të shënojnë vetëm një, me anë të Ibraimit në minutën e 63. Në anën tjetër, futbollistët e Vardarit e dëshironin fitoren, por nuk arrinin të rrezikojnë portën e Zahovit. E tëra që arritën ta bëjnë ata në këtë ndeshje, ishte goli i bukur i Felipes nga gjuajtja e lirë.
“Komitët”, njollë e zezë e ndeshjes
Njollë e zezë në këtë ndeshje kanë qenë fyerjet kundrejt futbollistëve shqiptar dhe popullit shqiptar në përgjithësi nga grupi i tifozëve të KF Vardar, “Komiti”. Kërkesat e kryesisë së Vardarit kundrejt tyre për një anim korrekt hasën në veshë të shurdhër dhe nga minuta e 23 dhe pothuajse deri në fund të ndeshjes, të ashtuquajturit “Komiti” me korret e tyre të zakonta, “Shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur”, “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Kush s’kërcen është shqiptar”, ndërsa nuk ka ndihmuar as vërejtja e spikerit zyrtar që të ndalen këto sharje në korë të tyre.