Shkup, 7 janar – Ligji për ndalimin e pirjes së duhanit në ambiente të mbyllura rrallë është respektuar gjatë festive të fundvitit. Gjithashtu objektet hotelerive nuk kanë lëshuar rregullisht fatura fiskale, thonë nga drejtoria e të ardhurave publike. Nga kjo drejtori paralajmërojnë se do të kryejnë kontrolle nëpër objektet hotelierike dhe kafiteritë, pasi që analizat nga ana e sistemit GPRS tregojnë se një numër i madh i objekteve kanë treguar profit më të vogël për festat e fundvitit. Inspektorët kanë vërejtur se pronarët e kafiterive, restoranteve apo hoteleve nuk kanë regjistruar fitimin dhe nuk kanë lëshuar fatura fiskale.
Qeveria para disa muajve paralajmëroi se do të paraqesë një propozim për një liberalizim të butë të ligjit aktual të pirjes së duhanit, që në asnjëfarë mënyre nuk do të thotë se ligji do të tërhiqet tërësisht.
Ndryshimet do të silleshin me qëllim të interpretimit të duhur të ligjit dhe respektimin e dispozitave, se si duhet të jenë të konceptuara pjesët e restoranteve dhe kafiterive ku lejohet pirja e duhanit.
Por qeveria ka theksuar se në objekte ku shërbehet ushqim, në asnjëfarë mënyrë nuk do të lejohet pirja e duhanit.