Ekspertët ekonomik thonë se në një kohë krize të shkaktuar nga pandemia – është e domosdoshme hyrja e shtetit në borxhe të reja, megjithatë kërkojnë më shumë kujdes në menaxhimin e borxheve dhe rritjen e të ardhurave për të kthyer nesër më lehtë borxhet
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 8 mars – Qeveria emetoi së fundmi Eurobondin e tetë në historinë e Maqedonisë së Veriut në tregjet e kapitalit. Kamata prej 1.625 për qind si dhe afati i maturimit apo kthimit prej shtatë vitesh, konsiderohen si sukses. Me borxhin e fundit do të paguhet eurobondi i vjetër nga viti 2014 me vlerë prej 500 milionë euro, si dhe do të mbulohet deficiti buxhetor. Sipas ekspertëve të financave, eurobondi është pjesë e një strategjie të tërë që kërkon, synon dhe realizon lehtësimin e financimit të borxhit publik. Me fjalë të tjera, ky instrument financiar siguron mjetet e nevojshme që mungojnë në arkën e shtetit edhe pse janë planifikuar – nuk po realizohen nga të ardhurat. Dallimin midis të hyrave dhe të dalave, shteti e financon përmes borxheve nga bankat vendore, në tregjet ndërkombëtare të kapitalit apo shtet pronë shtetërore. Ekspertët megjithatë thonë se në një kohë krize të shkaktuar nga pandemia, është e domosdoshme hyrja e shtetit në borxhe të reja, ndërsa kërkojnë kujdes me menaxhimin e borxheve dhe rritjen e të ardhurave për të kthyer nesër më lehtë borxhet.
“Borxhet e reja që merren si nga brenda ashtu edhe jashtë shtetit – Qeveria duhet të marr parasysh si kthimin e borxheve të vjetra me kamatat, por edhe nevojën për investime nga ana e shtetit dhe krijimin e kushteve që nesër më lehtë dhe pa probleme të mund të kthehen borxhet. Pra, nevojitet të ndihmohet rritja ekonomike dhe mirë të investohen të hollat e borxheve që të mos përsëriten gabimet nga e kaluara kur borxhet shpesh nuk kanë sjellë edhe të ardhura të reja. Gjithashtu, na nevojiten shkallë të rritjes ekonomike prej së paku 3.5 për qind që të mundet më lehtë të menaxhohen borxhet shtetërore në përgjithësi”, thotë profesori universitar Neritan Turleshi. Sipas tij, në një situatë kur në vazhdimësi kemi harxhime të mëdha për paga, pensione dhe transfere sociale, ku shpesh është vështirë të mbulohet edhe pagesa e rregullt e pensioneve vetëm nga të ardhurat e Fondit Pensional, kemi edhe minus në vazhdimësi në buxhetin e shtetit, nevojitet më shumë kujdes me hyrjen në borxhe të reja dhe të punohet njëkohësisht më shumë në strukturën e të hyrave dhe të dalave apo mbushjes dhe shpenzimit të arkës së shtetit.
Nga ana tjetër, Eurobondin e parë, Maqedonia e Veriut e emitoi në vitin 2005 në vlerë prej 150 milionë euro me kamatë prej afër 69 milionë euro dhe afat kthimi prej dhjetë vjet. Në fakt, emetimi i saj ishte edhe në funksion të përcaktimit të rejtingut kreditor të shtetit, për shkak se në atë kohë nuk kishte probleme me financimin e minusit në arkën e shtetit. Eurobondi i dytë u lëshua në kohën e një krize të madhe financiare, ku shtetet në rajon shumë pak ishin të përgatitura në aspektin strategjik dhe afatgjatë të hyrjes në borxhe të reja, ndërsa marrja e huas ishte imponuar fuqishëm nga rritja e nevojave për financime të shtetit, dhe si rrjedhojë – e momentit të vështirë në tregjet e kapitalit. Me fjalë të tjera, në vitin 2009 u futëm në borxh të ri prej 175 milionë euro me afat pagese prej pesë vjet dhe kamatë prej 86 milionë euro.
Në vitin 2014, vlera e borxhit në emër të eurobondit ishte 500 milionë euro, me afat pagese prej shtatë vite dhe kamatë prej 139 milionë euro. Në vitin 2015, borxhit iu shtua shuma prej 270 milionë euro kamatë prej afër 66 milionë euro dhe afat pagese prej pesë vitesh. Në vitin 2016 u realizua borxhi prej 450 milionë euro me vlerë kamate prej 180 milionë euro dhe afat të kthimit prej shtatë vitesh. Mjetet u harxhuan për kthimin e deficitit në buxhet për vitin 2016 dhe 2017 dhe financimin e serishëm të borxheve të vjetra. Më 11 janar të vitit 2018, Maqedonia e emitoi eurobondin e gjashtë në tregun ndërkombëtar të kapitalit me vlerë prej 500 milionë euro me kamatë prej 2.75 për qind dhe afat të kthimit prej shtatë vitesh. Nga ana tjetër, në vitin e kaluar – gjithashtu u miratua eurobond në vlerë prej 700 milionë euro me kamatë prej 3.675 për qind. Ky ishte një injeksion i fuqishëm financiar në kohën e krizës ekonomike dhe financiare të shkaktuar nga pandemia.