Bujar Lika është një prej futbollistëve të rinj të grumbulluar për herë të parë në Kombëtaren e Shqipërisë. 25-vjeçari, i lindur në Ferizaj, shpjegoi në konferencën për shtyp se nuk u mendua gjatë kur Panuçi e ftoi të vishte ngjyrat kuqezi.
“Kam pasur shumë dëmtime, por vitin e fundit kam mundur ta tregoj veten, pastaj erdhi kontakti me Panuçin. Kam zgjedhur Shqipërinë, nuk kam pasur kontakt nga Kosova. Nuk u mendova dy herë për të vendosur. Gjithnjë e kam pasur ëndërr për të luajtur me ngjyrat kuqezi, kaq. Pres të aktivizohem në miqësore. Është kënaqësi edhe për familjen time”, u shpreh Lika. “Lojtarët më kanë pritur shumë mirë, sidomos ata të Zvicrës. Atmosfera është shumë e mirë. Kjo është një mundësi e madhe për mua të tregoj veten. Sa i përket bisedës që kisha me Panuçin, ai asgjë nuk më ka premtuar. Jam këtu për të treguar veten. Konkurrenca është e madhe duhet të tregoj veten”, deklaroi Lika, futbollisti aktual i skuadrës zvicerane Grass’hopper.
Cekim, Lika është 25 vjeç, me origjinë nga Kosova, por me pasaportë zvicerane. Është rritur te Lucerna, ndaj trajneri aktual i Grass’hopersit, Murat Jakin, e njeh mirë, duke qenë se ka punuar te Lucerna në sezonin 2011/2012. Prej vitit 2013 Lika ka luajtur te Voleni në divizionin e dytë zviceran dhe sezonin e shkuar u bë titullar fiks, ndërsa këtë sezon e nisi te Shafhauzeni, sërish titullar. Paraqitjet e tij nuk kaluan pa rënë në sy dhe pikërisht Jakin e kërkoi në janar, me Grass’hopers që firmosi një kontratë 1,5-vjeçare me anësorin e djathtë, i cili ka luajtur 5 ndeshje këtë vit në Superligën zvicerane, duke dhënë edhe një asist në humbjen 2-1 ndaj Lucernës.