Shkup, 13 prill – Kompanitë që merren me organizimin e dasmave dhe ahengjeve të tjera protestojnë para qeverisë, duke kërkuar ndihmë shtetërore, në të kundërtën si pasojë e ndërprerjes së ahengjeve, do të duhet t’i mbyllin kompanitë dhe t’i largojnë të punësuarit nga puna.
Ata thonë se janë kompanitë që u mbyllën të parët dhe u mbështetën më së paku prandaj po kërkojnë grande për të mbijetuar sepse rreth 10,000 njerëz mbetën pa punë ndërsa kanë lidhje të drejtpërdrejtë me industrinë.
“Ne nuk e kemi në plan që të jetojmë në kurriz të shtetit, por ajo që tani duhet të bëhet është që të na ndihmohet që të qëndrojmë në këmbë, pasi që ne nuk e dimë se kur do të fillojmë me punë. Disa kompani kanë kredite të marra para pandemisë dhe është shumë e vështirë, jemi taksapagues dhe ashtu duam të vazhdojmë, por ne kemi nevojë për ndihmë.”,- tha organizatore e protestës, Maja Babiç.
Nga industria e eventeve thonë se protesta do të vazhdoj deri në momentin që shteti do ti pranoj në bisedime dhe do tju ofroj zgjidhje për industrinë e eventeve.
Nga qeveria kanë bërë të ditur se kjo industri është e përfshirë në pakon e pestë të masave, duke siguruar një milion euro, fonde të pakthyeshme për organizimin e të paktën 40 ngjarjeve, të cilat presin të angazhohen më shumë se 100 kompani si organizatorë, prodhues dhe qiramarrës të teknikës, por edhe angazhimi i artistëve, muzikantëve, aktorëve, punonjësve të kulturës, fotografëve, kameramanëve, producentëve, teknikëve dhe profesioneve të tjera që zakonisht merren me ose rreth industrisë së ngjarjeve.
Ndërsa pas dakordimit mes partive politike për tërheqjen e amendamenteve bllokuese pakoja e pestë e masave ekonomike do t’u paraqiten deputetëve në Komisionin për Financa dhe Buxhet më së voni deri nesër, ka bërë të ditur kryetari i Komisionit, Timço Mucunski.