Sezoni kinez ka nisur me fishekzjarre dhe me një histori të pabesueshme. Nuk po flasim për merkaton apo për goditjet e realizuara, mes tyre Marek Hamsik apo Fellaini… Po, për finalen e Superkupës, që ka parë në fushë dy skuadra: Shangai SIPG dhe Beijing Sinobo Gouan. Të parët për të konfirmuar atë që bënë sezonin e shkuar, me fitoren e Chinese Super League, pra titullin kampion, në dëm të Guangzhou Evergrande të Fabio Cannavaros. Të dytët, për të marrë një tjetër trofe pas Chinese FA Cup, pra Kupa e Kinës.
Dhe nëse në pjesën e parë sfida mbetet e bllokuar, në të dytën ndodh gjithçka. Shanghai shënon dy gola brenda 4 minutash, nga minuta e 62 deri në të 66. Autorët janë Wang Shenchao dhe Lü Wenjun. Por, nëse gjithçka po i drejtohej fundit dhe trofeu do të shkonte në duart e ekipit që kryesonte, u rrezikua humbja në tavolinë!
E pabesueshme? Jo edhe aq! Faji i rregullores së vendosur në Kinë, ajo e Under 23 (lojtarët nën 23 vjeç): të gjitha skuadrat janë të detyruara të hedhin në fushë tre futbollistë U-23 të formacionit kombëtar, pra kinezë: rregulli parashikon që një nga të tre të nisë titullar. Dy të tjerët, shpesh, aktivizohen nga pankina, duke qenë se teknikisht janë të dobët.
Minutat kalojnë dhe vetëm në fund, kur është minuta e 91-të, klubi kampion i Kinës, pra Shanghai, ende nuk kishte bërë zëvendësimin e tretë, për të hedhur në fushë U-23. Faji i kundërshtarëve, që bëri çmos që topi të mos dilte jashtë apo të ndërpritej aksioni për t’u bërë ndërrimi Objektivi ishte që të merrnin fitoren në tavolinë, duke përfituar nga rregullorja, teksa kundërshtari u kujtua me shumë vonesë.
Por, si për ironi të fatit, kur në Angli luante për trofe ish-skuadra e tij, Chelsea, braziliani Oscar, që ndodhet në Kinë prej janarit 2017, shkaktoi faullin më të bukur të parë ndonjëherë: minuta e 93-të dhe arbitri vërshëllen. Shanghai aktivizon të riun Zhenfei Huang në vend të Hulk dhe Oscar& co fitojnë Superkupën e Kinës, pasi respektuan rregulloren. Beijing mbetet me një grusht mizash…