“Më vjen shumë keq për këtë humbje, ndërsa edhe me barazim do të ishim të kënaqur, por ja që nuk ndodhi ashtu. Kemi edhe shumë ndeshje dhe shpresojmë se do të vijnë edhe fitoret dhe njëkohësisht do të kemi kohë ti evitojmë edhe gabimet që po i bëjmë që të njëjtat të mos i përsërisim në ndeshjet e ardhshme”, pohon Osmani për gazetën Koha
Fisnik NUHIU
Shkup, 25 shkurt – Në një ndeshje interesante e cila u zhvillua në arenën “Todor Proeski”, derbi lokal mes Rabotniçkit dhe FC Shkupi, u takoi “romantikëve”, të cilët përkundër negativit që e kishin pas 45-së minutave të para 0-1, në fund me një përmbysje arritën të shënojnë dy gola dhe të arkëtojnë tre pikë të mëdha në luftën për mbijetesë. Në anën tjetër për bardhekaltërit ishte një disfatë e rëndë duke marr parasysh se pas 0-1, krijuan disa raste ideale për gol, mirëpo nuk arritën të konkretizojnë asnjë. Derisa, golat i pranuan pas pakujdesisë së mbrojtjes. Këtë fakt e pohon edhe vetë trajneri Qatip Osmani për gazetën KOHA.
“Pjesa e parë ishte shumë e mirë, përveç se kishim epërsi me 0-1, humbëm disa raste të qind për qindta për 0-2. Në pjesën e dytë tentuan që brenda 15 minutave të para të shënojmë edhe golin e dytë, por përsëri rastet që i krijuam nuk arritëm ti konkretizojmë në gol. Dhe siç e dini atë rregullën në futboll, kur nuk shfrytëzon rastet vjen dënimi. Ashtu edhe ndodhi, Rabotniçki në dy herë na dënoi edhe atë pas gabimeve individuale të mbrojtësve, të cilët qëndronin larg lojtarëve, diçka që nuk duhej të kishte ndodhur”, shprehet Osmani.
Ai ndjen keqardhje për këtë humbje por thotë se ka edhe shumë ndeshje për tu zhvilluar dhe për tu rikthyer fitoreve. “Më vjen shumë keq për këtë humbje, ndërsa edhe me barazim do të ishim të kënaqur, por ja që nuk ndodhi ashtu. Kemi edhe shumë ndeshje dhe shpresojmë se do të vijnë edhe fitoret dhe njëkohësisht do të kemi kohë ti evitojmë edhe gabimet që po i bëjmë që të njëjtat të mos i përsërisim në ndeshjet e ardhshme”, shtoi më tej Qatip Osmani.
Ndryshe kundërshtari i ardhshëm i Shkupit do të jetë KF Renova. “Do të jetë një ndeshje e vështirë pasi Renova ka një ekip kualitativ. Pozita në të cilën gjenden aktualisht, nuk e pasqyron gjendjen reale të ekipit. Ne duhet të përgatitemi maksimalisht për këtë ndeshje, gabimet që i bëmë ndaj Rabotniçkit të mos i përsërisim si dhe të jemi më të saktë në rastet për gol”, përfundoi Qatip Osmani, trajneri i FC Shkupi.
Pas kësaj humbje FC Shkupi në renditjen tabelore mban pozitën e gjashtë me 25 pikë, gjashtë më pak se pozita e tretë që qon në garat e Europa League.