Masat e parapara në Planin e ri reformues 18, do t’i prezantojë zëvendës ministri për integrime evropiane, Bujar Osmani në takimet në Bruksel, që sot dhe nesër do t’i ketë me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian. Në takimet, siç kumtuan nga kabineti i tij, do të hapen edhe të gjitha temat e tjera lidhur me integrimet evropiane të vendit, e në drejtim të pritjeve nga samitet e ardhshme të Bashkimit Evropian nga fundi i muajit. Në kuadër të vizitës, Osmani do të takohet me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe nënkryetare e Komisionit Evropian, Federika Mogerini, me Dhimitris Avramopullos, komisar për Migrim dhe Punë të Brendsme, si dhe me Kristian Danielson, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim.
Në kuadër të vizitës në Bruksel, Osmani së bashku me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi do të takohen edhe me komisaren për Tregti, Sesilia Malstrom, ku temë e bisedës do të jenë marrëdhëniet tregtare mes Republikës së Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian, posaçërisht sfidat të cilat dalin nga përkeqësimi i marrëdhënieve në pjesën e tregtisë me çelik mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-së. Zëvendëskryeministri Osmani në Bruksel do të mbajë brifing me përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në grupin punues KOVEB, ndërsa në margjinat e takimit do të ketë edhe fjalim të vetin për integrimet evropiane të Maqedonisë para përfaqësuesve diplomatikë, si dhe përfaqësuesit e sektorit qytetar në Bruksel, në organizim të fondacionit Hans Zajdël.