Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, sot dhe nesër është për një vizitë dyditore në Londër, ku, si pjesë e delegacionit të lartë Qeveritar, do marrë pjesë në Samitin e pestë të BE- Ballkanit Perëndimor i cili është pjesë e Procesit të Berlinit.
Siç citojnë nga kabineti i Osmanit, një nga temat kryesore të Samitit do të jetë gjendja dhe progresi i bashkëpunimit dypalësh mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, në veçanti në pjesën e mbylljes së çështjeve të hapura të cila paraqesin trashëgimi nga e kaluara.
Në Samit do të hapen edhe tema të tjera aktuale për rajonin, në veçanti, në pjesën e sigurisë, sfidave të reja nga ri- aktualizimi i krizës së emigrantëve, bashkëpunimi rajonal, si dhe marrëdhëniet e rajonit me Bashkimin Evropian, në veçanti në pjesën e Strategjisë së Komisionit Evropian, për një perspektivë të besueshme për zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Folësit kryesor të Samitit do të jenë kryeministrja e Britanisë së Madhe Tereza Mej, si dhe Ministrat e punëve të Jashtme dhe të Brendshme, Boris Xhonson dhe Saxhid Xhavid. Pritet që përveç organizatorëve të Samiti të kenë fjalimin e tyre edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministri i Polonisë Mateush Moravjecki, eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të saj.
Procesi i Berlinit paraqet iniciativë diplomatike iniciuar nga ana e Gjermanisë në drejtim të mbështetjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit të tyre në Bashkimin Evropian. Qëllimi i kësaj nisme paraqet avancimin e bashkëpunimit dypalësh mes vendeve, në veçanti për zgjedhjen e çështjeve të hapura, krijimin e kushteve për avancim të bashkëpunimit rajonal në përgjithësi, veçanërisht përmes të ashtuquajturës “konektiviti agjenda” për ndërlidhjen energjetike dhe infrastrukturore, por edhe ndërlidhjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor me vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Në kuadër të vizitës, siç citohet në njoftim, Osmani së bashku me delegacion Qeveritar, pritet të realizojnë takime me të ashtuquajturin “Grupi i Ohrit”, takim me Princin Çarls, si dhe të realizojnë takime të rëndësishme bilaterale me përfaqësues të lartë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.