Çfarë lideri politik është ai i cili nuk arrin të ballafaqohet me oponentin e tij për tema që janë me interes publik. Refuzimi për të mos e bërë këtë ballafaqim, në fakt është anashkalim i vëmendjes së publikut për shumë problematika që i trajton politika
Destan JONUZI
Shkup, 28 mars – Debati i fundit televiziv midis kryeministrit dhe liderit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë së Veriut (LSDM), Zoran Zaev dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, opozitare, Hristijan Mickoski edhe një herë nxori në shesh kulturën e ulët të komunikimit politik e cila u reflektua edhe në rrjetet sociale. Përderisa, ithtarët e politikave të Zaevit thonë se Mickoskin e ka bërë për “pesë pare”, nga ana tjetër vmrovistët mbrojnë tezat se Mickoski edhe një herë u tregua stoik ndaj politikave dhe çështjeve kombëtare. Por, analisti Petar Arsovski vlerëson se Zaevi ka qenë në epërsi ndaj Mickoskit për arsye se ka politika të qarta, ndërsa tek lideri opozitarë mungon narrativi politik, shkruan gazeta KOHA.
“Mendoj se liderët kanë kuptuar se nuk është tragjike që të paraqiten në debate. Shpresoj që kjo do të bëhet praktik edhe për në të ardhmen, pasi që duhet që liderët e partive politike të ballafaqohen në duele televizive. Kjo është mirë për demokracinë dhe për elektoratin. Në debatin e fundit në përparësi ka qenë Zaev, për arsye se Mickoski kishte problem me narrativin politik. Mickoski nuk ka plan të qartë. Plani i Zaevit mund t’iu pëlqej ose jo, por megjithatë ekziston. Nga ana tjetër lideri i opozitës nuk ka asnjë plan dhe ky është problemi i narrativit politik të tij, pasi që nuk kishte përgjigje në disa pyetje thelbësore”, deklaroi për gazetën KOHA, analisti Petar Arsovski.
Ai thotë se deri sa Mickoski nuk distancohet nga politikat e qeverisë së Gruevskit dhe bartë mbi supe bagazhin e qeverisë së kaluar, nuk mund të reformoj as opozitën dhe nuk mund të del superior në asnjë duel televiziv. “Ai nuk mundi të distancohet nga ngjarjet e 27 prillit, nuk pati guxim të mbështes marrëveshjen e Prespës etj. Sipas kësaj mund të konstatohet se po bëhet e njëjta politik, po vazhdon avazi i njëjtë i politikbërjes së VMRO-së”, thekson Arsovski. Nga ana tjetër, analisti Albert Musliu është i mendimit se debatet politike janë të frytshme për sistemet demokratike. Sipas tij një gjë e tillë duhet të parktikohet edhe në kampin politik shqiptar.
“Debate të liderëve politik shqiptarë nuk kemi pasur gjatë kohë. I fundit ka qenë ai midis Ali Ahmetit dhe Arbën Xhaferit. Ky është refleksion i nivelit politik. Unë uroj që të reflektojnë edhe liderët politik shqiptarë dhe të fillojnë këto debate të cilat janë karakteristik e demokracive të zhvilluara, për shkak se në shtete autoritare nuk ka debat. Që ta praktikojmë këtë punë, unë e kisha obliguar edhe me ligj. Të kenë obligim liderët që së paku një numër debatesh t’i kenë, për arsye se ajo është mënyra e drejtpërdrejt për t’i ballafaquar argumentet”, deklaroi për gazetën KOHA, Albet Musliu, analist.
Sipas tij, Miskoski është hija e Gruevskit në politikën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, derisa nuk distancohet nga ai dhe keqpërdorimet e bëra nga pushteti i i kaluar i VMRO-DPMNE-së. “Mickoski e bartë bagazhin e Gruevskit deri sa nuk distancohet nga ai. Edhe në debatin e fundit Zaev insistonte që ai të distancohet prej keqbërjeve të VMRO-së, por ai nuk e bënte. Motivet mund vetëm se ti paramendojmë. Por, gjithsesi deri sa ai nuk distancohet prej krimit të Qeverisë së kaluar, keqbërjeve që ka bë qeveria e kaluar, ai atë bagazh do ta ketë në kurriz”, vlerëson Musliu.
Edhe Arsovski edhe Musliu janë të mendimit se do të ishte mirë që debate televizive të ketë edhe në kampin politik shqiptar, por se nga praktika e deritanishme nuk besojnë se ata mund të ulen para syrit të kamerës. Fundja çfarë lideri politik është ai i cili nuk arrin të ballafaqohet me oponentin e tij për tema që janë me interes publik. Refuzimi për të mos e bërë këtë ballafaqim, në fakt është anashkalim i vëmendjes së publikut për shumë problematika që i trajton politika. Gjithsesi, nuk mundesh të jesh një lider i kompletuar nëse nuk del në ‘mejdan’ mediatik. (koha.mk)