Shkup, 1 gusht – Përveç faktorëve ekonomik, fajtorë për ikjen e të rinjve nga vendi është edhe gjendja jostabile politike, krizat e vazhdueshme, skandalet etj., kështu vlerëson sociologu Ali Pajaziti, duke folur për trendin masivë të ikjes së të rinjve nga vendi.
“Ikja e të rinjve nga Maqedonia përveç faktorëve apo shtytësve ekonomik i ka edhe ata politik, që nënkuptojnë gjendjen jostabile politike, krizat e vazhdueshme, skandalet që gufojnë thuajse çdo dy-tre ditë. Imazhi i njerëzve që mbajnë timonin e shtetit që nuk tregojnë kurrfarë morali dhe vlerash të mirëfillta, që nuk janë shembull në menaxhim, që krijojnë klane e kasta që përfitojnë karshi demosit që i ka zgjedhur mbjellin tek brezi i ri një defetizëm të thellë se ky vend nuk bëhet, se s’ka perspektivë”, vlerëson Pajaziti në prononcimin e tij për gazetën KOHA.
Sipas tij, korrupsioni si veçori e përgjithshme e profilit të shumicës dërrmuese të politikbërësve tanë, mos aplikimi i meritokracisë për punësime, shfrytëzimi i elanit rinor për propagandë e materialbartës zgjedhjesh, shkelja mbi dinjitetin e një të riu që ka marrë diplomë me meritë dhe punësimi i militantëve me diploma të dyshimta ka bërë që ajka të na arratiset dhe ne të mbetemi me llumin profesional.
Ndërkohë, sipas një vrojtimi të “Gallup”, ndër vendet e rajonit, shifra e dytë më e madhe vihet re në Bosnje-Hercegovinë, me 62 për qind, e më pas Maqedonia me 51 për qind, ndërkohë që për Serbinë dhe Malin e Zi, pjesa e të rinjve që duan të largohen është më e ulët se 50 për qind. (koha.mk)