Ramallah, 4 qershor – Palestinezët nga Gaza e okupuar dhe Bregu Perëndimor sot në masë të madhe e përjashtojnë mundësinë se do të ndjejnë ndonjë ndryshim në sundimin izraelit, duke thënë se lideri i ekstremit të djathtë Naftali Benet, i cili është vendosur ta zëvendësojë kryeministrin e vjetër Benjamin Netanjahu me siguri do ta zhvillojë politikën e njëjtë ndaj pakicës arabe.
Benet, ish zyrtar i organizatës kryesore të vendosjes hebraike të Bregut Perëndimor, do të jetë kryeministri i ri i Izraelit për dy vitet e para të koalicionit të ri qeverisës, i cili u dakordua para mesnatës së mërkurës, ku është e përfshirë edhe partia arabe Raam.
“Nuk ka asnjë ndryshim midis udhëheqësve izraelitë”, tha Ahmed Rezak, një zyrtar i sektorit publik 29-vjeçar në Gaza.
“Ata janë të mirë ose të këqinj për kombin e tyre. Sa për ne, ata janë të gjithë të këqinjj, ata nuk pranojnë t’u japin palestinezëve të drejtat dhe tokën e tyre”, konsideron Rezak.
Hamas, grupi islamik që kontrollon Gazën, ka thënë se nuk do të ndryshojë asgjë me qeverinë e re.
“Palestinezët kanë qenë historikisht nën dhjetra qeveri izraelite, të djathta, të majta, centriste, siç quhen ata. Por ata të gjithë kanë qenë armiqësorë kur bëhej fjalë për të drejtat e popullit tonë palestinez dhe të gjithë kishin politika ekspansioniste”, tha zëdhënësi i lëvizjes, Hazem Kasem.
Për herë të parë në histori, një parti arabe e zgjedhur nga një popullsi arabe, që përfaqëson 21 për qind të Izraelit, është bashkuar me një koalicion qeverisës izraelit.
Lideri i partisë Mansur Abas tha se marrëveshja e koalicionit përfshin akordimin e më shumë se 16 miliardë dollarëve për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të luftuar krimin në qytete me shumicë arabe.
Por Abas është kritikuar si në Gaza ashtu edhe në Bregun Perëndimor për shkak se është “në anën e armikut”.
“Ai është tradhtar. Çfarë do të bëjë kur do të lutet të votojë për një luftë të re në Gaza”, pyet 21-vjeçari Badri Karam, një banor i enklavës.
“A do ta pranojë atë dhe të jetë pjesë e vrasjes së palestinezëve?” shtoi ai.