Në çdo dhjetëvjeçar do ndodhë një krizë e cila do na lëkundë dhe e cila do na shkundë nga idetë dhe vizionet e përparimit. Kësaj here është Pandemia. Nuk është as luftë, e as konflikt, nuk është as përplasje etnike e as dominancë ekonomike. Një virus e sëmundje që ka kapur të gjithë të papërgatitur madje dhe në reagimet tipike për fajin, fajtorin dhe të ardhmen. Por nëse krizat e kaluara të gjitha kishin të bënin me njeriun, marrëzinë e tij, inatin e tij, kësaj here lufta dhe betejat janë me të padukshëm…
Nga Nazim RASHIDI
Kishim kaluar shumë sfida, sidomos ata që janë lindur në vitet ’70 e ’80 të shekullit të kaluar. Fillimisht ishin tensionet etnike, në ish jugosllavi. Të ishe shqiptar sidomos ishte sfidë. Pastaj erdhën luftërat, ato të viteve ’90, shpërbërja e Jugosllavisë, periudha e mëpasme e pavarësisë së Maqedonisë atëherë, tani “e Veriut”. Kohë që kishte veç zymtësi.
Kohë që s’jepte shumë shpresë, sidomos jo për plane afatgjata. Kjo atmosferë kolektive megjithatë krijonte një mobilizim për të ndyshuar gjërat. Ishte shtysë e fortë, sepse gjithë situata e rëndë prekej e shihej me sy, e kjo i bënte njerëzit vigjilent dhe me dëshira për përparim. Por prapë kriza. Ajo e ’97 në Shqipëri, që lëkundi idenë e zhvillimit atje por edhe të rajonit. Ishte koha kur rajoni, sidomos të rinjtë shihnin mundësi të reja me lidhje të reja, të çliruara nga ish regjimet moniste. Por jo. Prapë lëkundje. Më pas lufta në Kosovë, një traumë e madhe, një përplasje e madhe me realitetin që me vite nuk linte shkuarjen përpara. Pastaj 2001 në Maqedoni, edhe kjo një periudhë inatesh të mbledhura dhe një prangë e fundit para idesë së shkëputjes më në fund drejt një jete disi më normale. Por jo.
Në çdo dhjetëvjeçar do ndodhë një krizë e cila do na lëkundë dhe e cila do na shkundë nga idetë dhe vizionet e përparimit. Kësaj here është Pandemia. Nuk është as luftë, e as konflikt, nuk është as përplasje etnike e as dominancë ekonomike. Një virus e sëmundje që ka kapur të gjithë të papërgatitur madje dhe në reagimet tipike për fajin, fajtorin dhe të ardhmen. Por nëse krizat e kaluara të gjitha kishin të bënin me njeriun, marrëzinë e tij, inatin e tij, kësaj here lufta dhe betejat janë me të padukshëm. Ky moment i mbështetur edhe me teknologjinë, rrjetet sociale, lajmet e rrejshme, varfërinë ka shpartalluar çdo moment normal të reagimeve. Pandemia është kështu edhe një krizë, në radhën e krizave që do të karakterizojnë shoqërinë, por kjo është totalisht shumëdimensionale. Jo tipike. Jashtë çdo parashikimi. Pasojat e kësaj krize nuk do jenë si ato të tjerat,me të cilat mbase edhe jemi mësuar,ose më mirëthënë dimë si të përballemi. Kjo situatë na ka nxjerrë në terren krejt të huaj.
E para, vetë qasja ndaj pandemisë. Niveli i mosbesimit dhe dyshimet qoftë për ekzistencën e qoftë nëse ishte “shpikur” qëllimisht virusi vuri me shpatulla pas muri dijen e shkencën. Si asnjëherë më parë shkencëtarët nuk janë vënë në dyshim. Konsensusi shoqëror, jo vetëm tek ne, por globalisht, që ekzistonte në raport me sugjerimet që vinin nga ekspertët u shpartallua. Sot thuajse nuk ekziston një autoritet ndaj të cilit s’do kishte dyshime madje edhe konspirative, për atë se si duhet reaguar. Lehtësia e kundërshtimit pa forcën e argumentit s’ka qenë asnjëherë kaq prezente. Kjo sepse pandemisë iu shtua edhe një betejë tjetër, ajo e infodemisë. Që na çon tek çështja e dytë, ose pasojë e radhës e madhe që po le pandemia, është tek përforcimi i gënjeshtrave, përhapja e tyre me lehtësi përballë fakteve dhe të vërtetave. Nga të gjitha analizat që janë bërë të gjitha konstatojnë se gënjeshtra përhapet më shpejtë se sa e vërteta. Por si mund të luftohet atëherë një sëmundje e virus, ndaj të cilëve ka më shumë mashtrime se sa fakte shkencore. Niveli i të kuptuarit të situatës është jashtë çdo norme të normales dhe e cila do të duhej të sugjeronte se të paktën duhet të dëgjoni mjekët. Të ndiqen masat. Por jo. Dyshimi dhe mashtrimi ngjiten më lehtë.
Pandemia dhe Infodemia së bashku po krijojnë kaosin që as një luftë ndoshta s’do ta bënte dot. Dhe shkatërrimi mbase s’do jetë me pallate të rrënuar, rrugë të shkatërruara, vendbanime pa ujë e energji. Shkatërrimi do jetë tek sistemet dhe rregullat e shoqërisë siç i dimë. Pikërisht këtu. E treta çështje që pandemia do prekë e me çka do lë pasoja afatgjate do jetë demokracia. Shikoni, në kohën e panikut dhe tashmë të kalimit nga një fazë e konspiracioneve në fazën e infektimeve në masë, shtetet dhe qeveritë do kenë aprovim për të kaluar në masa më restriktive. Kjo në vetvete do sjellë zbehjen e kontrolleve, do të përforcojë reagimet autoritare dhe do të lehtësojë sjelljen e vendimeve me shpejtësi. Llogaridhënia edhe ashtu problematike, do shmanget. Gjithçka do justifikohet me alarmin që ka shkaktuar pandemia. Pikërisht ato rrjete sociale, ajo infodemi do të përdoret për të porforcuar qasjen e qeverive dhe lehtas do lindin e do fuqizohen sistem autoritare. Po ndodhin këto procese edhe në vende me demokraci edhe më të madhe e më të zhvilluara.
E gjitha do jetë më e lehtë për gjithë ato mendje autoritare ta bëjnë këtë, sepse pandemia ka sjellur pasojën e madhe, mbase më të madhen në rrafsh global në vitet që i mbajmë mend, e kjo është rritja e varfërisë.
Çështja e katërt që prek pandemia është ekonomia. Me paralajmërimet për mbyllje të shteteve, sidomos ato më të zhvilluarat, në sensin ekonomik, po mbyllen motorrët e zhvillimit. Në shoqëritëku fitimi është baza, ku gjithçka është e bazuar tek shitjet, tek prodhimi masiv, ndalja e tyre është si të frenosh befas, dhe gjithçka ikën përpara drejt përplasjes. Kjo pamje është më shkatërruese se çdo gjë tjetër, sepse do rrisë padrejtësinë sociale edhe ashtu evidente, do krijohen dallime dhe më të mëdha klasash e gjitha do krijojë tensione edhe përplasje më të mëdha dhe pasoja për shoqërinë tonë do jetë e pakthyeshme dhe më keq. Do kërkohet ndërhyrje më e madhe e shtetit për rend dhe kjo në vetvete do çojë shoqërinë në dimensione të tjera ku liritë siç i njohim sot do lëkunden.
Mbase është një vizion pesimist, por shenjat e tilla janë. Shpresa për të mbyllur pandeminë dhe shmnagien e këtij skenari ka mbetur veç te vaksina dhe ilaçet që paralajmërohen, pra shpresa është tek shkenca. Këtu për mua është drita. Sepse nëse ndodh, përveç se do shpëtojë botën do japë dhe mësimin e duhur, e që teknologjia e ka shkatërruar me iluzionin e krijuar se fjala e secilit peshon njëlloj, se veç argumentet e bazuara në dije mund të sjellin tejkalimin e situatës dhe zhvillimin e duhur. Një brezi si i imi do i shtohet edhe një sfidë, totalisht e re, por për brezat më të rinj kjo mbase do jetë sfida e parë me të cilat ndeshen. Kovidi do t’i përcaktojë ato. Do ju lë gjurmë. Do i zhigosë me bindje e mendësi që do i ndjekë gjithë jetës. Ashtu si duken gjërat tani, beteja e tyre do jetë shumëdimensionale jo veç me një armik: Do jetë mposhtja e rrenës, e drejta për nxënie, barazia dhe ngadhënjimi i diturisë. Të gjitha njëkohësisht. Të njëjta në dukje. Por beteja e tyre do jetë me shpejtësi drite, sepse teknologjia e jep këtë shtyrje.
Uroj që t’ia dalin!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)