Pasojat dhe kërcënimi për shëndetin mendor janë përdorur si argument më shumë nga pandemia duke u bashkëshoqëruar edhe nga tragjedi sikurse kjo e fundit me shpërthimin e zjarrit në Spitalin modular të Kovid-19 në Tetovë, ngjarje e cila ka tmerruar dhe tronditur shumë qytetarë të vendit
Arbër KADRIU
Shkup, 11 shtator – Virusi korona pothuajse ndryshoi botën në tërësi dhe dukshëm ndikoi në mënyrën e të menduarit të popullsisë. Situata është serioze dhe shëndeti mendor i individëve mund të rrezikohet. Maqedonia e Veriut është njëra ndër vendet e Ballkanit ku shërbimet dhe seancat psikologjike janë shtuar në vazhdimësi gjatë periudhës së pandemisë gjë e cila ka intensifikuar punën e profesionistëve të shëndetit mendor. Të dhëna zyrtare paraprakisht nuk janë zbuluar se sa ka arritur numri i personave të cilët trajtohen për çrregullimet psikike, por paraprakisht nga Institucionet shëndetësore gjegjësisht nga Spitali Psikiatrik në Shkup prej ku thuhet se numri i klientëve mbetet i njëjtë edhe pse ka shumë prej tyre të cilët trajtohen nëpër ambulancat e tjera që janë dikaster të ngjashëm me shërbimet e spitalit.
“Kjo periudhë ka ndikuar në shëndetin mendor të qytetarëve, ndërkaq deri më tani në spitalin tonë numri mbetet afërsisht i njëjtë duke përmendur faktin që shumica e pacientëve janë në gjendje kronike pra trajtim kronik. Pacientët të cilët janë të llojit akut trajtohen nga profesionist të shëndetit mendor nëpër tre ambulancat e tjera të këtij dikasteri”, informojnë nga IPSH Shkup.
Pasojat dhe kërcënimi për shëndetin mendor janë përdorur si argument më shumë nga pandemia duke u bashkëshoqëruar edhe nga tragjedi sikurse kjo e fundit me shpërthimin e zjarrit në Spitalin modular të Kovid-19 në Tetovë, ngjarje e cila ka tmerruar dhe tronditur shumë qytetarë të vendit. Këto fenomene nga psikologët cilësoheni shkak për çrregullim të stresit post-traumatik duke thënë se njerëzit në situata të tilla përjetojnë pikëllim të rëndë pasi humbasin të dashurit e tyre nga virusi, apo në rastin e fundit nga zjarri pa qenë në gjendje të i’u japin lamtumirën e fundit.
“Njeriu që të posedoj shëndet të plotë dhe mirëqenie duhet që të mos ketë luhatje të theksuara emocionale gjatë jetës së tij. Luhatjet emocionale që mund të shkaktojnë trazira te shëndeti i njeriut janë atëherë kur njeriu ndeshet me shqetësime që rëndojnë gjendjen emocionale sikurse janë frika, paniku, stresi në nivele të larta, shqetësime nervore për shkaqe të ndryshme, psh humbje e të dashurve, fatkeqësi, sëmundjet e papritura apo të zgjatura çoftë për veten apo edhe personave të dashur etj. Aq më tepër rëndojnë situatat e papritura sikurse janë fatkeqësitë e ndryshme. Çdo shqetësim emocional, çoftë i njohur apo edhe i papritur gjithsesi se është i dëmshëm për aspektin psikik, meqë më pas mund të interpretoj apo të bëhet shkaktar për sëmurje organike. Andaj, gjithashtu secili që dallon tek vetja shqetësime pak më të theksuara se ato normale duhet gjithsesi të drejtohet tek profesionistët e shëndetit mendor”, deklaron për KOHA, Lule Alidema, psikologe klinike. Po ashtu edhe Ivo Kunovski thotë se në këto raste qytetarët kanë nevojë për mbështetje dhe mirëkuptim në këtë periudhë të krizave të ndryshme.
“Dihet mirë se në kohë krize, disponueshmëria e njerëzve të tjerë dhe mbështetja e tyre janë faktorë të rëndësishëm në sigurimin e sigurisë. Këta faktorë nuk janë vetëm një burim i mbështetjes materiale, por ata janë shpesh një burim ngushëllimi, mbrojtjeje dhe mirëkuptimi në kohë të vështira. Por për shkak të specifikës së kësaj krize, situata thekson nevojën për kujdes në kontakt të drejtpërdrejtë me të tjerët”, thekson Kunovski, punonjës social. Pandemia po rrit kërkesën për shërbime të trajtimit të shëndetit mendor. Humbja e jetës njerëzore, izolimi, humbja e të ardhurave dhe frika shkaktojnë gjendje shqetësimi mendor ose përkeqësojnë ato ekzistuese. (koha.mk)