Shkalla e papunësisë në shtet, përkundër uljes prej 4.7 për qind në katër vitet e kaluara, megjithatë për më shumë se tre herë është më e lartë se papunësia mesatare evropiane
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 25 dhjetor – Shkalla e papunësisë në Maqedoni shënon ulje prej 25.5 për qind në dhjetor të vitit 2015 në 20.8 për qind në shtator të vitit 2018. Përkundër uljes së konsiderueshme në katër vitet e fundit si rrjedhojë e masave aktive për punësim, hapjes së vendeve të reja të punës nga investitorët e huaj dhe vendor, garancisë për të rinjtë, por edhe shpërnguljes jashtë së fuqisë punëtore të aftë për punë, vlerësohet se një shkallë e tillë e papunësisë është akoma e lartë, sidomos në raport me shkallën e papunësisë prej 6.7 për qind të Bashkimit Evropian në muajin shtator të këtij viti, shkruan gazeta KOHA.
Me fjalë të tjera, shkalla e papunësisë në shtet – përkundër uljes prej 4.7 për qind në katër vitet e kaluara, megjithatë për më shumë se tre herë është më e lartë se papunësia mesatare evropiane. Sindikalistët thonë se vendi ka nevojë për një ulje të papunësisë në nivel të ngjashëm me mesataren evropiane për shkak se rritje e punësimit nga një anë dhe ulja e papunësisë nga ana tjetër që nënkupton edhe një jetë më të dinjitetshme për qytetarët e Maqedonisë, si dhe përmirësimin e standardit jetësor në shtet. Vlerësohet se nevojitet të ketë përkrahje edhe më të madhe nga ana e pushtetit për të zvogëluar edhe më tej papunësinë.
“Në parim, buxheti i shtetit duhet të jetë sa më zhvillimor, ndërsa duhet më pak të ketë harxhime joproduktive siç janë ato për mobilimin e zyrave. Në këtë buxhet për vitin 2019 ekzistojnë mjaft gjëra që i dedikohen zhvillimit, por mbetet të shohim se sa ato edhe do të realizohen deri në fund të vitit të ardhshëm. Pra, nevojitet të derdhen për shembull 5 denarë në ekonomi dhe zhvillimin e bizneseve, për shkak se këto të holla nesër do të kthejnë 10 denarë përmes aktiviteteve të kompanive.”, thotë sindikalisti Drage Jovanovski.
Nga ana tjetër, pritet që edhe zgjidhja e kontestit për emrin në vitin 2019, hapja e bisedimeve për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, por edhe anëtarësimi i Maqedonisë në NATO deri në vitin 2020, të përmirësojë më tej klimën e biznesit si dhe të rrit besimin tek investitorët vendorë dhe të huaj, për të zgjeruar punën, kapacitetet e tyre si dhe për realizuar punësime të reja.
Analizat tregojnë se të gjithë 12 shtetet që u anëtarësuan në NATO pas rënies së Murit të Berlinit, shënuan rritje të investimeve të huaja. Kjo shpjegohet me faktin se prosperiteti ekonomik është ngushtë i ndërlidhur me stabilitetin si garanci, si dhe përmirësimin e pozitës ndërkombëtare të shteteve. Efektet e anëtarësimit në suaza afatgjate janë shumë pozitive, për shkak se investitorët e huaj potencial e kuptojnë se shteti bëhet më i sigurt dhe më ligjor, sistemi ekonomik më stabil dhe më i hapur për investime direkte të huaja.
Afaristët vlerësojnë se çelësi i investimeve më të mëdha, si të huaja ashtu edhe vendore, mbetet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, si dhe stabiliteti afatgjatë politik dhe ekonomik. Sipas tyre, në vitin 2019, si shtet së pari duhet siguruar një stabilitet të tërë sistemit shoqëror dhe politik, si dhe nevojitet të jetë viti i realizimit më këmbëngulës të reformave në të mirë të qytetarëve dhe biznesit.
Në ndërkohë, të dhënat e Entit të Statistikës tregojnë se në vend, në fund të muajit shtator të vitit 2018, ka pasur 958.770 persona aktiv për punë prej të cilëve 759.445 janë të punësuar, ndërsa 199.325 persona kanë qenë të papunë. Nga ana tjetër, në fund të shtatorit të vitit 2015 ka pasur 954.610 popullatë aktive, prej së cilës 711.380 persona kanë qenë të punësuar, ndërsa 243.230 persona kanë qenë të papunë. Të dhënat e EUROSTAT-it apo Zyrës evropiane të statistikave më tej tregojnë se në BE, shkalla më e lartë e papunësisë shënohet në Greqi me 19 për qind dhe në Spanjë me 14.9 për qind, ndërsa shkalla më e ulët e papunësisë shënohet në Çeki me 2.3 për qind, Gjermani dhe Poloni me nga 3.4 për qind. (koha.mk)