Kryetari i shoqatës Dashnor Miftari ka informuar se dibranët në SHBA janë krenar që manifestimi “Parada Shqiptare 2022” në Amerikë këtë vit i është dedikuar Dibrës. Ky organizim i organizatave shqiptare në Amerikë edhe sivjet është mbajtur në Menhattan NYC
Vjollca SADIKU
Dibër, 4 maj – Shoqata atdhetare “Dibra” me seli në Nju Jork informoi se përveç aktiviteteve të shumta, një kontribut të madh jep edhe në bashkëpunimin me shoqatat simotra shqiptare në SHBA. Kryetari i shoqatës Dashnor Miftari ka informuar se dibranët në SHBA janë krenar që manifestimi “Parada Shqiptare 2022” në Amerikë këtë vit i është dedikuar Dibrës. Ky organizim i organizatave shqiptare në Amerikë edhe sivjet është mbajtur në Menhattan NYC. Në këtë aktivitet morën pjesë shoqata nga të gjithë trojet shqiptare që veprojnë në Amerikë edhe atë- federata Pan Shqiptare Vatra, Shoqata Atdhetare Dibra, Shoqata Kraja, Shoqata Ulqini, grupi Rozafati, Shkolla mëso Shqip, etj. Të theksojmë se në aktivitete e shoqatës Atdhetare “Dibra” janë prezent mërgimtar të krahinës së Dibrës respektivisht si të Dibrës së Madhe ashtu edhe të Dibrës së Vogël. Ata thonë se është një krenari meqë gjatë mbajtjes së Paradës është theksuar se tre vitet e fundit shoqata atdhetare “Dibra” nga të pranishmit është votuar si shoqata më e organizuar dhe më profesionale në pjesëmarrje të paradës Shqiptare.
Parada shqiptare është një manifestim i cili këtë vit në pjesën e organizimit dhe pjesëmarrjes kishte edhe Ambasadorin Shqiptar në Kombet e Bashkuar Ferit Hoxha. Manifestimi ka për qëllim përforcimin e të gjitha shoqatave shqiptare që veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Diaspora shqiptare në SHBA është e fuqishme dhe mundëson një bashkëpunim më efikas mes shqiptarëve. Një ndër elementet kryesore është edhe kontinuiteti i bashkëpunimit theksohet në aktivitete të Paradës Shqiptare. Një vend të veçantë në përkrahje të këtij aktivitet luan edhe Albanian Roots që punon në prezantimin e rrënjëve shqiptare.
Duhet thënë se shoqata Atdhetare “Dibra” është themeluar në vitin 1996 në Nju Jork. Kryetari i shoqatës Dashnor Miftari thotë se përveç aktiviteteve të tjera që kanë të bëjnë me mbrojtjen të trashëgimisë kulturore, kombëtare dhe fetare, shoqata ka takime të shumta edhe me përfaqësuesit të jetës politike në SHBA. Shoqata ka karakter kombëtar dhe koordinon aktivitetet e dibranëve. Ajo financohet nga anëtarësia e vet dhe ka një bashkëpunim shumë të mirë si me institucionet në SHBA ashtu edhe me pushtetin vendor në vendlindje – Dibër. Poashtu sipas tij anëtarët e shoqatës japin një kontribut shumë të madh edhe në aktivitet të shumta humanitare dhe përkrahje të aktivitete kombëtare. (koha.mk)