Nga Daut DAUTI
Jeta është dinamike që na shtyn që edhe gjërat që i kemi përjetuar si katarzë, t’i harrojmë shpejtë. Ku ishim dje, e ku jemi sot. Vetëm para një viti e ca, shteti përpëlitej në një krizë të thellë në përpjekje për ta detronizuar një pushtet të cilit i dolën këmbët përjashta. Një pushtet që u kap ” me kërpesh” për dore, i cili në çdo vend demokratik do të kishte rënë kaherë me skandalin e parë, e jo më dhjetëra skandale korruptive e keqpërdorime të cilat e zhveshën nga PR-imazhi i ndërtuar i ndershmërisë dhe drejtësisë. Vetëm falë strategjisë kokëfortë, ai pushtet vazhdoi agoninë e vet, në përpjekjet për të shpëtuar diçka me parimin e simetrisë së fajit(edhe ju keni bërë njësoj), për të zbuluar ndonjë gjurmë gjersa të mos aktivizoheshin lëndët për ndjekje penale, si dhe, për të relativizuar fajësinë në sytë e qytetarëve.
Por, gjërat morën fund ashtu siç e dimë. Në pushtet më nuk janë Ata, po Këta, gjegjësisht, një pushtet tjetër me premtime të mëdha, me betime kategorike (Assesi si Ata më parë)…Nëse zgjedhjet e parakohshme parlamentare ende i nxorën fitues Ata(por me shenja të dukshme të rënies), në zgjedhjet lokale rënia ishte përfundimtare: VMRO-DPMNE-ja mbeti me numër komunash që numëroheshin me gishtat e një dore, porse edhe BDI-ja nuk kaloi pa “fasha”(vragë), duke e identifikuar edhe atë si bashkëpjesëmarrëse në mëkatet e partisë së NIkolla Gruevskit. Fati politik e deshi që të ndërrohen bashkudhëtarët në një rrugëtim të ri qeverisjeje, me parime të reja të deklaruara.
“Mos e bën atë për të cilën deri dje i ke kritikuar të tjerët…Mos i kritiko të tjerët për atë që e ke bërë vetë dikur!” Nëse kjo moto do të ishte një udhërrëfyes për çdo pushtet të ri, gjërat gjithnjë do të ecnin përpara, gjendja do të ndryshonte për më të mirë. Por, midis këtij parimi dhe praktikës, mund të gjendet një hendek i madh, jo vetëm për shkak të të paaftësisë për të bërë gjithnjë me mirë seç ka bërë ndonjë garniturë më parë, por dhe nga dobësitë e “materialit” njerëzor, të cilat nuk varen nga ideologjitë dhe nga platformat e deklaruara në zgjedhje, por nga “sfidat” që jep pushteti si provokim “për ta shfrytëzuar momentin” që “nuk jepet më”. Nuk ka nevojë “të përkthehet” ç’dua të them me këtë.
Unë e kam shkruar shumë herë se kjo qeveri jep shumë shpresa për të bërë ndryshime. Me hapat që i ka ndërmarrë në shtensionimin e marrëdhënieve me fqinjët, gatishmërinë dhe guximin për ta avancuar përdorimin e gjuhës shqipe me ligjin që e pengoi dhe e ktheu në procedurë kryetari Gjorge Ivanov, si dhe me gatishmërinë, jo vetëm deklarative, për të tejkaluar kontestin me Greqinë për emrin, me kthimin në rigjykim të rastit “Monstra”, përpjekjet për reforma në gjyqësi… Por ka dhe gjëra që mund të merren si punë koti(si psh. paralajmërimi për shitjen e “Mercedesit” të famshëm të Gruevskit(si do ta shesin, është blerë 600 mijë dhe do ta shesin për 200 mijë euro?!), ose preokupimi me “Shkupin 2014” (si bie fjala heqja e “anijeve”)…që në sytë e qytetarëve do të vërtetohet teza e VMRO-së se ata “kanë ndërtuar, ndërsa LSDM-ja rrënon”… Sido që të jetë, preokupimi dhe shpenzimi i energjisë së pushtetit të ri, pas gatise një viti qeverisje, me bëmat e qeverisë së kaluar, mund të jetë kapital politik për të arsyetuar politikat e saja të reja, porse dhe mund të jetë alibi për mosrealizimin e shumë premtimeve “për jetë” të cilat përfshinë shumë sfera, kurse mungesa e ideve për t’i përmirësuar gjërat, vjen duke u shtuar çdo ditë e më tepër!
Dehja e fitores mund të jetë jetëshkurtër, sepse më lehtë është që të fitosh(ndonëse në rastin e LSDM-së së Zaevit nuk qe aq lehtë), dhe më vështirë është ta mbash pushtetin. Pra, ta mbash ashtu siç e ke premtuar se do ta praktikosh atë. Nëse më lartë u dhanë disa shembuj, dhe u shprehën disa dilema, hyrja në temë me sprovat e vërteta të pushtetit të ri, mund të jenë edhe më dëshpëruese. Kur një aktor shqiptar komentoi se si janë ndarë paratë për film dhe bëri krahasimin midis një autori anonim maqedonas, të cilit i janë ndarë disafish më shumë mjete për një film dokumentar se sa një autori shqiptar për film artistik, plus përqindjen e vogël për autorët shqiptarë, kjo ishte një sinjal që drejtësia për të cilën është angazhuar LSDM-ja në fushatë, është larg të deklaruarës, sepse egoizmi dhe proteksionizmi në baza të ndryshme( ndonëse më lehtë e vërejmë kur është në baza etnike), nuk çrrënjosen vetëm me fjalë, nëse nuk shoqërohen në vepër. Hapi tjetër që po ashtu u bë nga buxheti i kulturës, te ndarja e mjeteve për veprimtari botuese, dëshmoi një keqpërdorim që diskriminimin e bëri edhe intraetnik (të pakënaqur edhe botuesit maqedonas, edhe botuesit shqiptarë), por me përmasa ashiqare keqpërdorimi, duke e detyruar ministrinë për të bërë “revizion”. Si do të përfundojë ky episod i pakëndshëm, ku erdhi në shprehje keqmenaxhimi me mjetet e taksapaguesve, është çështje tjetër, por që është sinjal brengosës për vetë kryeministrin Zaev. Sepse kështu mund të veprohet edhe në resorët tjerë të pushtetit, në ministri, drejtori, spitale, shkolla, agjenci, komisione…,në të cilat me vonesë mund të zbulohen abuzimet, por kur të zbulohen, mund ta sjellin këtë qeveri atje ku para dy vitesh ishte ajo e Gruevskit. Siç shihet, as mediat të cilat e përkrahnin ish-opozitën nuk e përshëndetin me ngazëllim propagandistik çdo politikë të qeverisë, e as qytetarët kanë dhënë blanko përkrahje pavarësisht se çka realizon dhe si vepron.
Të premtosh e të mos realizosh, është një shkurtpamësi politike për fushata zgjedhore, sepse mund të përfitosh në një çast të caktuar, por ajo “kredi” shpenzohet shumë shpejt, ose kthehet si bumerang. Shumëkush u josh nga heqja e taksës për radiotelevizion, por masa tjetër që atë taksë të zëvendësohet me 3 denarë që do të paguajnë ata që ngasin vetura dizel për çdo litër, të premtosh rritje pagash e pensionesh, heqje participimi për shërbimet shëndetësore dhe ende të mos e bësh, të premtosh vende të reja pune, e nuk mund të sigurosh rritje zhvillimore as 1 për qind, të premtosh ligje më të favorshme për subjektet e ekonomike e nuk ke ide si ta bësh, ose zgjidhjet që ofrojnë çojnë ekonominë teposhtë(ka mjaft ankesa për mungesë idesh nga biznesi!), të premtosh se do të qeverisësh me nder dhe qeveris siç kanë qeverisur ata para teje,…duhet të jetë çështje momenti kur do të harxhohen të gjitha kreditë parazgjedhore me ndonjë “bombë” që do t’ia kthejë opozita e tashme.
Për vete përherë kam qenë “i fascinuar” me noshalancën që partitë hyjnë në zgjedhje, kur premtojnë sipas asaj popullores “gjithçka që fluturon hahet”, por në të vërtetë, në jetë është se “nuk hahet gjithçka që fluturon”. Duhet përshëndetur çdo lëvizje që bëhet në drejtim të realizimit të premtimeve, por siç e shohim nuk është kollaj t’u qëndrosh mbrapa. Ka gjëra që do të mirëkuptohen, sepse në rrethana objektive, sado që të përpiqesh, ndonjë gjë edhe mund të dështojë. Por, nëse kjo qeveri harron se pse erdhi në pushtet, ose më saktë, se pse iku pushteti i Gruevskit dhe i përsërit të njëjtat dobësi ose anomali(korrupsion, keqpërdorim pushteti…), atëherë gjërat vetëm mund të përsëriten dhe të jenë shkak për dëshpërim të qytetarëve, të cilët as më parë, e as në të ardhmen, nuk kanë shumë zgjedhje, ose më saktë, zgjedhjen e vetme e kanë të përcaktohen midis të këqijave.
Prandaj, nëse një garniturë politike në pushtet do të vepronte ndryshe nga motoja e këtij teksti, dhe mendon se njerëzit harrojnë, atëherë qytetari me të drejtë do të shtrojë pyetjen: përse dhashë votën për ndryshime?!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)