Bëhet fjalë për një hapësirë të madhe prapa Filarmonisë së Maqedonisë dhe mes Hamamit të Daut Pashës, Operës dhe Baletit të Maqedonisë dhe Sheshit Skënderbeu
Aida XHONI
Shkup, 6 qershor – Derisa autoritetet lokale tentojnë me rritjen e çmimit të parkingjeve nëpër rrugët e qytetit ti demotivojnë shoferët, vetëm 100 metra larg sheshit Maqedonia, ekziston një parking i egër.
Bëhet fjalë për një hapësirë të madhe prapa Filarmonisë së Maqedonisë dhe mes Hamamit të Daut Pashës, Operës dhe Baletit të Maqedonisë dhe Sheshit Skënderbeu. Më herët, kjo hapësirë ka qenë park, por prej kur u shndërrua në parking falas, u shkatërrua, është mbushur me gropa dhe ujë dhe pas çdo reshje shiu shndërrohet në baltë, shkruan KOHA.
Por, kjo nuk ju pengon shkupjanëve që falas ti parkojnë automjetet e tyre. Dhe jo vetëm ata, për këtë parking të ashtuquajtur di e gjithë Maqedonia, pasi aty mund të shohim vetura me targa regjistrimi nga të gjitha qytetet e Maqedonisë.
“Çdo herë që vij në Shkup parkohem këtu, shkoj të mbaroj punët për të cilat kam ardhur. Ky parking është lokacion i shkëlqyer, sepse është mes Bit Pazarit, Çarshisë dhe qendrës” tha Stojko P. nga Kriva Pallanka.
“Ky është vend shumë i mirë dhe falas, vijmë një Shkup një herë në javë pasi merremi me tregti dhe na konvenon mos të paguajmë. Është pak i dëmtuar, por kur është falas s’është problem”, tha Hamdi. S nga Tetova.
Qyteti i Shkupit këtë hapësirë planifikon ta shndërrojë në hapësira të gjelbra. “Aty është ligë e egër, çdo kush parkohet ku mundet. Qyteti nuk mund ta rregulloj këtë hapësirë pasi bëhet fjalë për parcelë private. Në bisedime jemi me pronarët e kësaj hapësire ata vet ta rregullojnë, ose të na japin neve si Qytet ta bëjmë hapësirë publike. Së shpejti atë pjesë të qytetit që është shndërruar në parking ilegal do ta shndërrojmë në hapësirë gjelbëruese, së shpejti pritet te dalim me informata zyrtare dhe konkrete në pres konferencë”, thonë nga sektori për marrëdhënie me opinion në Qytetin e Shkupit.