Fatos RUSHITI
Shkup, 13 tetor – Të dielën, më 15 tetor në Maqedoni mbahen zgjedhjet lokale të gjashtat me radhë që nga pavarësimi vendit më 1991. Janë gjithsej 1.814.644 qytetarë me të drejtë vote edhe atë në 3480 vendvotime sa ka formuar Komisioni Shtetëror Zgjedhor për këto zgjedhje, në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, shkruan gazeta KOHA. Në zgjedhje lokale garojnë 19 subjekte politike për kryetar të komunave dhe për këshilltar komunal, prej tyre 15 janë parti politike dhe 4 koalicione të partive politike, ndërsa janë 64 subjekte zgjedhore nga grupet e qytetarëve. Interesimi do të jetë i madh për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve, si nga organizmat vendor – ashtu dhe ata ndërkombëtare me mbi 500 vëzhgues nga OSBE-ODIHR, vendet fqinje, atyre nga rajoni dhe Rusia, si dhe mbi 2000 vëzhgues nga organizatat joqeveritare vendore. Nga lista zgjedhore, në listë të posaçme janë 77.071 persona që në përputhje me regjistrimin e organizmit kompetent, janë në punë të përkohshme ose qëndrim jashtë vendit, 1.882 janë nga lista e personave që vuajnë një dënim me burg ose janë në paraburgim, 9 votues janë nga lista e personave që në përputhje me regjistrimin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale udhëhiqen si persona të brendshëm të shpërngulur. Nga renditja e subjekteve politike, e para në fletëvotim do të jetë PSDM, e dyta koalicioni Aleanca për Shqiptarët (UNITETI- RDK), e treta BDI, e katërta Koalicioni për Manastirin BDI-BESA-ASH, e pesta Koalicioni “Së Bashku për Gazi Babë” me partitë BESA-BDI-ASH, e gjashta LPM, e shtata VMRO-DPMNE, e teta Lëvizja Popullore e Turqve, e nënta Aleanca për Shqiptarët, e dhjeta TMRO, e 11-ta Partia Demokratike e Turqve, GROM në vendin e 12-të, Koalicioni i partive i kryesuar nga VMRO-DPMNE është i 13-ti, BESA e 14-ta, PDSH e 15-ta, E Majta e 16-ta, PPD e 17-ta, Lidhja e Romëve e 18-ta, ndërkaq LSDM e 19-ta. Rrethi i dytë i zgjedhjeve është caktuar dy javë më vonë, më 29 tetor. Përveçse OSBE-ODHIR-it, që do t’i monitorojë zgjedhjet me 336 vëzhgues , mbi 2000 anëtarë nga organizata joqeveritare MOST do t’i monitorojë zgjedhjet lokale të 15 tetorit. Siç ka paraparë MOST, me këtë do të mbulohen gjysma e vendvotimeve në të gjitha komunat. Ndërkaq Misioni i OSBE-ODIHR do ta vlerësojë harmonizimin e këtyre zgjedhjeve me angazhimet e OSBE-së dhe me obligimet dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, si dhe me rregullat vendore. Si pjesë e procesit të vëzhgimit misioni OSBE/ODHIR-it ka ndjekur edhe raportimin e mediumeve për fushatën. Në ditën e zgjedhjeve vëzhguesit do ta ndjekin hapjen e vendvotimeve, votimin, numërimin e fletëvotimeve dhe mbledhjen e rezultateve Misioni i OSBE-se do të publikojë një raport periodik gjatë punës së vet, në ditën e zgjedhjeve, do të jepet deklaratë për rezultatet dhe konstatimet fillestare, përderisa raportin përfundimtar për vëzhgimin do ta publikojë rreth tetë javë pas përfundimit të procesit zgjedhor. Zgjedhjet d ti ndjek edhe Komisioni Qendror Zgjedhor I Kosovë që ka marr akreditim nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Maqedonisë. Gjithashtu zgjedhjet do ti monitorojë edhe vëzhgues nga Shqipëria, Këshilli i Evropës, si dhe vëzhgues nga Rusia dhe vendet tjera fqinje Serbia, Bullgaria dhe Greqia. Për mbajtjen zgjedhjeve të qeta dhe pa incidente Ministria e Punëve të Brendshme me rreth dy mijë policë do të jetë ditën e zgjedhjeve. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) paralajmëroi se të dielën, në ditën e zgjedhjeve lokale do t’i mbajë tre konferenca shtypi, në orën 11:00, në orën 14:00 dhe në orën 18:00. Në konferencat për shtyp do të publikohen informacione për jehonën dhe për rrjedhën e votimit deri në orën 10:00, deri në orën 13:00 dhe deri në orën 17:00. Konferencat do të hapen për mediat vendore, vëzhguesit e akredituar vendor dhe të huaj, gazetarët e huaj të akredituar, si dhe për përfaqësuesit e autorizuar të shtruesve të listave të kandidatëve. Pas mbylljes së vendvotimeve në orën 19:00, KSHZ në vazhdimësi do t’i publikojë rezultatet jozyrtare paraprake të zgjedhjeve lokale. (koha.mk)