Zejnulla VESELI
Shkup, 5 dhjetor – Për dhjetë muaj e parë të këtij viti Ministria e Financave ka arritur ta zvogëlojë borxhin publik për 260 milionë euro. Kështu tregojnë të dhënat e fundit të kësaj ministrie, shkruan gazeta KOHA. “Nga buxheti qendror për 10 muajt e parë, vetëm për kamata për borxhin publik Ministria e Financave ka paguar 6.9 miliardë denarë apo 111.8 milionë euro, gjegjësisht është kthyer borxh prej 258,7 milionë euro apo së bashku me kamatat, Maqedonia ka paguar 389.5 milionë euro. Për periudhën e njëjtë Ministria e Financave ka realizuar disa ankande publike për emetimin e letrave me vlerë në tregun vendor, gjegjësisht ka marrë borxh të ri në vlerë prej 277. 8 milionë euro”, thonë nga Ministria e Financave. Nëse do të ndanim shumën e përgjithshme të kamatës prej 111.8 milionë euro, i bie që Ministria e Financave, për çdo muaj, me para të qytetarëve ka paguar kamata në vlerë prej 11 milionë euro për kthimin e borxheve të mbetura.
“Nga shuma e përgjithshme prej 111.8 milionë euro kamata, 75 milionë euro kanë shkuar për borxhet e marra nga kreditorët e jashtme, ndërsa 25 milionë euro janë paguar kamata për kreditorët e brendshëm”, thonë nga Ministria e Financave. Sipas Ministrisë së Financave, për borxhin që duhej të kthehej në muajin tetor, është paguar kamata në vlerë prej 5.5 milionë euro, ndërsa vlera më e lartë e kamatës është paguar në muajin korrik, ku për borxhin bazë së bashku me kamatat janë paguar 8.25 miliard denarë apo 133.7 milion euro. “Që të paguhej borxhi i arritur në muajin korrik, së bashku me kamatën, nuk ishin të mjaftueshme të hyrat e tre tatimeve më të mëdha në buxhet. Në muajin korrik shteti nga TVSH-ja ka arritur të grumbullojë 4,78 miliardë denarë, nga akcizat ka grumbulluar 1.964 miliardë denarë dhe nga tatimi personal i hyrave në muajin korrik të këtij viti 1.21 miliard denarë apo nga tre këto tatime në buxhet të hyrat kanë qenë 8 miliardë denarë apo për 500 milionë denarë më pak se sa është paguar borxhi bazë dhe kamatat në këtë muaj”, thonë nga Ministria e Financave. Gjithashtu, nga Ministria e Financave thonë se nga muaji shtator deri në fund të muajit nëntor, është realizuar kthimi i TVSH-së kompanive në vlerë prej 5.9 miliardë denarë apo 95 milionë euro që njëherit paraqet rritje prej 26 për qind më shumë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. “Është shumë e rëndësishme të theksohet se nga muaji maj i këtij viti e deri më fund të muajit nëntor, në vazhdimësi janë realizuar pagesat për kthimin e TVSH-së, në mënyrë të rregullt dhe në afat kohor, në mënyrë jo selektive u është kthyer TVSH-ja kompanive. Kjo do të thotë se Drejtoria për të Hyra Publike, me procedura të përshpejtuara ka përgatitur të gjitha kërkesat e firmave për kthim të TVSH-së që më pas u përcjell me pagesat e rregullta nga trezori drejt firmave”, thonë nga Ministria e Financave. (koha.mk)