Nga Fisnik PASHOLLI
Të shumtë janë vizitorë nga Shkupi që krahas vizitave tek familjarët, shfrytëzojnë vikendet në qytetin e Ferizajit në Kosovë, për të vizituar edhe objektet gastronomike, por edhe në dyqanet e ndryshme me tesha të joshur nga çmimet më të lira se në Shkup. Gjithashtu, pesë autobusë nga Kumanova përplot me udhëtarë kishin vajtur vikendin e kaluar në Serbinë fqinje, në qytetin e Vranjës për shoping në rrjetin e njohur gjerman të marketeve “Lidl”. Vajtje kjo pas anulimit të posedimit të testit PCR për të hyrë në Serbi. Në kohë të ekonomisë së tregut, globalizimit, çmimeve joshë se të zinxhirëve të njohur tregtar, njerëzit thjesht dëshirojnë edhe të shëtisin edhe të blejnë gjësende për në shtëpi. Me kusht që të kenë mundësi për një shëtitje të tillë.
Me vite te ne flitet se janë rritur pagat, se është përmirësuar standardi jetësor, është ulur papunësia dhe është rritur punësimi në sektorin privat apo të shtetit. Dhe nuk mund të mohohet se rezultate të caktuara edhe janë arritur, mirë po ato nuk kënaqin. Në kohë të murtajës së shekullit 21 apo pandemisë së Covid-19, çdo qeveri është e sfiduar me pagesën e rregullt të pagave dhe pensioneve dhe mos uljen e tyre, halleve të mbushjes së arkës së shtetit, kërkesave në rritje të biznesit për suport dhe mundësive shpesh të vakëta që jo çdo herë dhe deri në fund edhe tu dilet në ndihmë sipërmarrësve dhe afaristë ve. Biznesi prej zori apo me imponim, do të gjejë mënyrën të përshtatet në kushtet e reja të punës, do të ulë investimet, do të ngrijë harxhimet e panevojshme, ndërsa njerëzit e thjeshtë do të përpiqen të bëjnë çmos që të gjejnë mënyra dhe alternativa për të mbijetuar, duke hapur një biznes të vogël, duke u vetëpunësuar apo duke ikur në mërgim.
Mirëqenia e çdo individi në rajon dhe tek ne po ec ngadalë edhe para pandemisë e të mos flasim në këto kushte të krizës, përkundër angazhimeve të qeverive si në përkrahjen e popullatës, investitorëve të huaj e vendor, mbështetjes së bujqësisë, reformave të ndryshme etj. Mirëpo akoma pagat në Maqedoninë e Veriut përkundër rritjes së tyre si mesatare mbeten të ulëta karshi nevojave dhe kërkesave të shtresës më të gjerë të popullatës. Angazhimet për rritjen e pagës minimale si dhe ulja sipas statistikës zyrtare e shkallës së varfërisë nga 27.3 për qind në vitin 2010 në 21.6 për qind në vitin 2019, rritja e ndihmës sociale, paralajmërimi për përfshirjen më të madhe të popullatës me subvencionet e rrymës etj, janë për tu përshëndetur, mirëpo shtrohet çështja se ku jemi me përmirësimin e standardit jetësor karshi Evropës dhe mesatares së saj.
Siç dihet treguesi kryesor i standardit të një shteti dhe banorëve të saj është në radhë të parë fuqia blerëse që me atë pagë që e pranojmë qoftë ajo 14.500 denarë, 18.000, 25 000 apo 30 mijë denarë të mund të blejmë sa më shumë gjë sende të ndryshme apo të paguajmë shërbime të ndryshme. Andaj shpesh edhe krahasimet e ndryshme se ku është më lirë jetesa në Gjermani apo tek ne thjesht nuk mbajnë.
Një punëtor gjerman me një pagë mesatare nuk do të hamendet që nëse i duhet edhe me para të gatshme në dorë të blejë një telefon celular modern, ndërsa një punëtor në Maqedoni, mund ta blejë atë por vetëm me një llogari të kujdesshme dhe përmes kësteve të kredive për 6, 12 apo 24 muaj.
Edhe vlera e pagës mesatare prej gati 448 euro në muaj, sërish është ndër më të ulëtat në Evropë. Shto kësaj edhe pagat prej në mesatare 16 deri 18 mijë denarë në sektorin e tekstilit dhe lëkurës me afër 50 mijë punëtorëve në këto sektor del se të ardhurat janë të pamjaftueshme që familjarët e tyre të kapërcejnë muajin. Edhe kostoja e lartë e mbi 40 për qind të buxhetit shtëpiak për tu ushqyer në raport me 13 për qind të mesatares evropiane flet se kjo çështje kërkon një vëmendje dhe debat më të madh. Politikat e dekadave të fundit ngadalë kanë arritur që më fuqishëm të rrisin mirëqenien, ku ekonomia e vendi varet me të madhe edhe nga remitancat e mërgimtarëve dhe nga puna sezonale e mijëra e mijëra kurbetçinjve. Presim dhe kemi besim për një të ardhme më të mirë, të ndihmuar edhe me rrugëtimin më të suksesshëm të shtetit ndaj anëtarësimit në BE, me rezultate të prekshme dhe kapshme të reformave, por edhe me ndihmën më të madhe të miqve dhe partnerëve tanë në Bruksel dhe Uashington, në zgjidhjen e ngërçeve të ndryshme të politikës së brendshme dhe të jashtme të Maqedonisë së Veriut.