Shkup, 1 korrik – Në Shkup u përkujtua 100 vjetori i vdekjes së Kolë Bojaxhiut, babait të Nënë Terezës. Kolë Bojaxhiu ka qenë i vetmi këshilltar shqiptar në Këshillin e qytetit të Shkupit në atë kohë, themelues i Teatrit në Shkup si dhe iniciues i ndërtimit të hekurudhës Shkup-Kosovë. Shënimi i 100 vjetorit të vdekjes së tij u mbajt në shtëpinë memoriale të Nënë Terezës, ndërsa ndër organizatorët ishin Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve dhe Ambasada e Kosovës në Shkup.
“Me figurën e Kolë Bojaxhiut ne si historian dhe si histografi shqiptare po fillojmë t’i shtjellojmë figurat lokale tonat të cilat kanë bërë peshën pastaj në arenën gjithëkombëtare por dhe atë botërore. Jo rastësisht ne e kemi organizuar këtë konferencë që ta argumentojmë dhe ta kthejmë vëmendjen drejt Shkupit përmes familjes Bojaxhiu sepse edhe tash përfitimet dhe ajo që na njeh bota i kemi pikërisht nga figura e madhe e Shën Terezës ku bota pas Gjergj Kastriotit Skënderbeut na identifikon me këtë figurë të madhe”-tha Skender Asani, ITKSHKSH.
“Atë se çfarë i kanë ofruar shqiptarët botës mendoj se shumë pak popuj e kombe shumë të fuqishme nuk kanë mundur sepse kanë ofruar figurën e Kastriotit, figurën e Nënës Terezë e cila është nënë e gjithë planetit. Kuptohet se ai ka qenë një baba shumë i veçantë, unik që e ka lind një bijë si Nënë Tereza dhe ne mburremi me jetën e tij”-pohoi Gjergj Dedaj, Ambasador i Kosovës në Maqedoni.