Shkup, 14 shtator – Perspektiva evropiane, marrëdhëniet dypalëshe, si dhe temat që dalin nga Marrëveshja e Prespës, gjegjësisht komisionet dhe ngjashëm, do të jenë pjesë e çështjeve që do të diskutohen të mërkurën nga kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe të Greqisë, Zoran Zaev dhe Kiriakos Micotakis në drekën e tyre të punës në Athinë, zbuloi zëdhënësi i Qeverisë greke, Stelios Pecas në konferencën e sotme të rregullt për shtyp, duke iu përgjigjur pyetjes së korrespodentit të MIA-s nga Athina.
Pecas theksoi se është “shumë e rëndësishme që do të ketë një mundësi për bisedime” pas zgjedhjeve në vendin tonë dhe shtoi se më shumë detaje do të njoftohen pas takimit, respektivisht pas drekës së punës.
I pyetur nga gazetarët nëse kishte ndonjë përparim në komisionet për tekstet shkollore, markat tregtare dhe mesazhin që Micotakis do t’i transmetonte Zaevit, Pecas tha se perspektiva evropiane e vendeve në rajon është më e rëndësishmja, dhe përmes procesit të hapjes dhe duke mbyllur kapitujt, “shumë çështje mund të zgjidhen”.
“Është shumë e rëndësishme që do të kemi mundësi të flasim përsëri, pas zgjedhjeve në vendin fqinj, kështu që do të shohim të gjitha këto tema dhe ju kujtoj se jemi një nga ata që që në momentin e parë kemi thënë që mund të flasim për temat tona, si këto që i përmendët ato, por më e rëndësishmja është perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përmes së cilës ne mund të zgjidhim shumë çështje, përmes kapitujve integrues, para-integrues që do të hapen dhe mbyllen”, shpjegoi Pecas.
Nesër dhe pasnesër, kryeministri Zaev do të zhvillojë një vizitë pune dyditore në Greqi, të mërkurën ai do të marrë pjesë në “tryezën e 24-të me Qeverinë greke”, të organizuar nga “Ekonomist”, dhe përveç drekës së punës me homologun e tij grek Micotakis, do të takohet me presidenten e Greqisë, Katerina Sakelaropulu.