Marsela Carja, 16-vjeçarja nga Elbasani që gjeti dritën te sporti i ngritjes së peshave. Fillimi i vështirë , mes lodhjes dhe paragjykimeve të familjes, deri te titujt kampionë. Dhe ëndrra vazhdon, duke u ndjekur edhe nga motra e vogël
Marsela Carja u rrit në një familje, ku asnjëri nuk merrej me sport. Madje, ajo ishte pak e shëndoshë dhe nuk kishte aspak trup atletik. Dukej sikur ajo dhe sporti i peshëngritjes ishin dy botë paralele. “Unë kam patur një jetë shumë pasive më përpara dhe po mendoja të merresha me diçka, qoftë për të mbajtur trupin në formë dhe për të mbushur ditën”-thotë 16-vjeçarja nga Elbasani, informon Shekulli, përcjellë gazeta Koha.
“Zbulimi’ i saj ishte rastësi. Në një ndeshje futbolli midis shkollave 9-të vjeçare, ku Marsela po luante, trainerja Eglantina Çuni, që po kërkonte të rekrutonte vajza për sportin e peshëngritjes, rastësisht e shikon dhe bisedon me të. Jo për futbollin, por për peshëngritjen. Marsela, e etur për diçka të re në jetën e saj,vendosi ta provonte. Si gjithmonë, fillimi nuk ishte aspak i lehtë.
“Ishte shumë e lodhshme dhe ditën e parë thashë që nuk do ta vazhdoj më, por dalëngadalë duke punuar çdo ditë, fillova të mos e ndjej më lodhjen, aq sa stërvitja më është kthyer në kënaqësi dhe nuk ka ditë që të them se nuk do ta vazhdoj më. Pas dy vitesh stërvitje unë mora titullin kampione e Shqipërisë.”
Kështu, vështirësitë u bënë sukses, e suksesi u bë uri për arritje të tjera.Tanimë Marsela, kampione Shqipërie po hedh vështrimin tutje, për të rrëmbyer edhe trofe europianë e botërorë. “Unë dua që të jem kampione Europe, bote apo edhe olimpike. Kjo është ëndrra e çdo sportisteje”.
Marsela është vajza e parë e familjes pas 3 djemve dhe pas saj erdhi në jetë edhe motra më e vogël, duke u bërë kështu një familje e madhe. Sot familja e saj krenohet me të pasi Marsela u ka zbardhur faqen. Por nuk ka qenë gjithçka rozë. “Familja ime fillimisht nuk donte që të merresha me sportin e peshëngritjes dhe unë stërvitjen e kam nisur pasi ka ikur babi sepse nuk më lejonte. Tani ai është njeriu më krenar për mua. Unë e kisha palestrën larg një gjysmë ore nga shtëpia dhe mami e kishte shumë merak. Ajo fillimisht më shoqëronte çdo ditë nga shtëpia deri te palestra”.
Tani Marsela nuk është më vetëm. Suksesi i saj ka tërhequr edhe motrën e vogël, Enkelejdën, e cila është dedikuar me mish e me shpirt dhe rezultatet që ajo ka arritur premtojnë një të ardhme po me kaq suksese sa Marsela.
“Motra ime më e vogël Enkeleda, duke më shoqëruar mua çdo ditë në stërvitje filloi ta praktikonte mundjen, fillimisht me shkop e pastaj me pesha. Ajo është kampione në moshën e saj, edhe pse është vetëm 11 vjeçe. Në krahasim me mua, për kategorinë në të cilën konkuron, mund të them se ajo është edhe më e mirë sesa unë. Enkelejda ka marrë disa medalje. Ajo pretendon të kapë rekordin europian për 15-vjeçarët”.
Marsela tregon se sa shumë e ka ndihmuar sporti që të jetë ajo që është sot. “Peshëngritja më ka ndryshuar si person. Nga një njeri me pak miq, e ndrojtur me një jetë pasive, tani kam plot miq, jam më sociale dhe bëj një jetë aktive. Me duket sikur marr frymë më lirshëm dhe gjërat më shijojnë më shumë”.