Drejtori Sportiv i Romës, Gianluca Petrachi ka bërë një gafë gjatë prezantimit të Heinrikh Mkhitaryan më 10 shtator të këtij viti, që mund t’i kushtojë deri në pezullim një vjeçar nga aktiviteti.
Kjo pasi gjatë konferencës për shtyp, Petrachi deklaroi se ka takuar drejtuesit e Interit në maj dhe u ka komunikuar atyre çmimin e kartonit të Edin Dzekos, që sipas drejtuesit verdhekuq, zikaltrit nuk e ofruan asnjëherë atë shifër.
Megjithatë vlen të theksohet se më në muajin Maj Petrachi ishte akoma Drejtor Sportiv te Torino, pasi marrëdhënia me klubin “granata” përfundoi më 25 qershor dhe vetëm pas kësaj date, drejtuesi u zyrtarizua te verdhekuqtë.
Aktualisht rasti po hetohet nga Federata Italiane e Futbollit, që nëse e shpall fajtor Pertrachin për shërbim ndaj një klubi, ndërkohë që ishte nën kontratë me një tjetër skuadër, rrezikon ta pezullojë me një vit.
Kjo do të ishte një goditje e rëndë jo vetëm për karrierën e tij, por edhe për klubin e Romës, që do të duhej të kërkonte për një tjetër drejtues sportiv, që të organizojë fazat e merkatos në dimër dhe verën e ardhshme.