Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, foli për Ousmane Dembele pas humbjes së skuadrës blaugrana ndaj Betisit të dielën në mbrëmje, duke i dhënë disa këshilla të riut francez.
Dembele u la jashtë skuadre për sfidën e fundjavës, ndërsa mediat në Spanjë raportuan se ai mungoi në stërvitje gjatë javës për shkak se ishte i sëmurë, por nuk e kishte informuar në kohë klubin.
Pique mendon se sulmuesi, i blerë për 105 milionë euro, plus bonuse që shkojnë deri në 40 milionë euro, do të përmirësohet në Camp Nou, por ndërkohë lojtarët do ta ndihmojnë.
“Ishte një vendim strategjik, por ne jemi këtu, për ta ndihmuar. Është i ri dhe ka potencial të jashtëzakonshëm, jam i sigurt që Valverde e la jashtë që të punonte për të përmirësuar disa zona të lojës së tij”.
“Kemi qenë të gjithë të rinj dhe kemi bërë gabime, ndaj nga eksperienca jonë duhet ta ndihmojmë Dembele të kuptojë që futbolli është një lojë që zgjat 24 orë në ditë, duhet të jetosh me të. Nuk kam asnjë dyshim që ai do të përmirësohet dhe vendimet e trajnerit do ta ndihmojnë”.