Kanberë, 6 gusht – Autoritetet australiane kanë konfiskuar më shumë se 30 tonë drogë në periudhën prej 1 korrikut 2017 deri më 30 qershor të vitit 2018, tregojnë të dhënat statistikore të policisë së atjeshme.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara në raportin e sotëm të policisë, 30,6 tonë drogë janë konfiskuar në vitin financiar 2017-2018, që paraqet rritje prej 11,3 për qind nga viti paraprak kur ishin konfiskuar 27,4 tonë drogë.
Gjatë vitit kishte 112.827 aksione policore për konfiskimin e drogave dhe 148.363 arrestime. Mesatarisht çdo 17 minuta ishin konfiskuar nga një kilogramë drogë, ndërsa çdo katër minuta kishte nga një arrestim.
Amfetaminat ishin droga më shpesh e konfiskuar, me gjithsej 11.205 kilogramë të konfiskuar.
Në kufijtë e kontinentit kishte 5.096 konfiskime nacionale të kokainës dhe 17.383 të kanabisit.
“Vlera e amfetaminave, kokainës dhe heroinës ishte gati pesë miliardë dollarë australiane (3,3 dollarë amerikane). E dimë se grupet e organizuara kriminale edhe më tutje realizojnë fitime të mëdha nga shitja e drogave ilegale, ndërsa çmimi i cili paguhet në Australi është ndër më të lartit në botë”, bëhet e ditur në raport, transmeton Ksinhua.