Sipas burimeve të gazetës Koha nga Prokuroria publike themelore, gjatë aksionit të djeshëm policor për rastin e ngjarjeve të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, policia ka bastisur edhe shtëpinë e ish kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski, aktualisht deputet i VMRO-DPMNE-së. Nga ajo që ka arritur të kuptojë gazeta Koha, gjatë aksionit policor, atij i është marrë telefoni celular. Ndryshe, duke vepruar sipas propozimit të PTHP-së për përndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit për përcaktimin e masës paraburgim, para gjykatësit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Shkup 1 – Shkup gjatë ditës së djeshme janë nxjerrë 24 persona, për të cilët pas deklarimit të tyre lidhur me propozimin e Prokurorisë, janë marrë vendime me të cilat personat M.Ç., O.P., I.D., M.P., O.R., G.A., V.T., D.L., I.C., B.I., J.Ç., I.S. dhe V.M. gjykatësi i procedurës paraprake e pranoi propozimin dhe u caktoi masë paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Personave S.M., G.GJ., M.P., E.D.B., B.D., V.J., Gjykata u caktoi masë arresti shtëpiak.