Omer XHAFERI
Shkup, 26 shtator – Neni 175 i Ligjit për komunikime elektronike, të mërkurën do të jetë temë diskutimi në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë, e cila pritet të vendos për shfuqizimin ose jo të dispozitave kontestuese të këtij neni, i cili mundëson policisë sekrete përcjelljen e komunikimeve (përgjimet) përmes operatorëve telefonik, shkruan gazeta KOHA. Debati për këtë çështje të ndjeshme në opinionin do të vazhdojë pasi me shumicë votash, në korrik të këtij viti, Gjykata Kushtetuese e pranoi iniciativën për shqyrtimin e ligjshmërisë për nenin e apostrofuar. Përmbajtja kontestuese e Ligjit në fjalë është në fuqi që nga viti 2014, dhe prej atëherë e deri më sot kjo normë ligjore i obligon operatorët e telekomunikimit “me harxhimet e tyre, të sigurojnë dhe mirëmbajnë pajisjen, interfejsin e duhur dhe të vendosin komunikime elektronike për transmetim deri të organi kompetet për përcjellje”. Ligji për komunikime elektronike, në këtë rast neni 175 përbëhet nga 10 paragrafe, të cilët po ashtu gjenden në Raportin e fundit të Pribes, i cili i rekomandon Qeverisë realizimin e reformave urgjente në këtë drejtim. “Në rast kur operatorët kanë të vendosur kompresim, ose kriptombrojtje të lëvizjes së komunikimeve, ata janë të obliguar ta largojnë një pengesë të tillë para se përmbajtjen e komunikimit të përcjellë ta dorëzojnë deri të organi përkatës për përcjelle të komunikimeve. Njëherësh, detyrë e operatorëve të telekomunikimeve është dhënia e mundësisë organit përkatës për përcjelljeje të komunikimeve, si dhe përcjelljen e komunikimeve në kohë reale. Informacioni i komunikimit të përcjellë duhet të jetë në dispozicion menjëherë pas përfundimit të komunikimit, ndërkohë përcjellja e komunikimit duhet të realizohet pandërprerë, gjatë gjithë kohës përderisa ajo zhvillohet. Propozimin e gjykatëses Vangelina Markudova, e cila është gjykatëse-njoftuese për këtë lëndë, e pranuan shumica e gjykatësve në Gjykatën Kushtetuese, gjegjësisht pro shqyrtimit të këtij iniciative votuan gjykatësit Sadi Murati, Natasha Gaber-Damjanovska, Ismail Dardhishta dhe Gëzime Starova. Përderisa “kundër” kësaj iniciative u prononcuan kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Nikolla Ivanovski dhe gjykatësit Jovan Josifovski, Elena Gosheva dhe Vlladimir Stojanoski. Gjykatësit të cilin votuan “për”, po ashtu shprehën dyshimet për mënyrën se si është rregulluar Ligji për komunikime elektronike, duke nënvizuar se neni 168, i cili ende nuk është futur në procedurë diskutimit dhe neni 175 i mundësojnë Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe Ministrisë për Punë të Brendshme, në mënyrë pakontrolluar t’i përcjellin komunikimet e qytetarëve përmes operatorëve telefonik. Ndryshe, në rast të formimit të kuorumit për diskutim ditën e mërkurë (27 shtator), Gjykata Kushtetuese vendimin për shfuqizim të dispozitës në fjalë pritet ta miratoj me përbërje të shkurtuar, pasi që gjykatësit Ismail Dardhishta, mandati 9-vjeçar i ka përfunduar me 31 gusht, ndërkaq për zëvendësimin e tij, Parlamenti ende nuk ka caktuar pasardhës. Në ndërkohë, më 7 tetor mandati do t’ju përfundoj edhe dy gjykatësve tjerë të Gjykatës Kushtetuese, gjykatëses Gëzime Starova dhe asaj Natasha Gaber-Damjanovska. Çështja e përcjelljes së bisedave telefonikë në Maqedoni është aktuale që nga shkurti i vitit 2015, atëherë kur opozita e atëhershme, tashmë shumicë parlamentare – publikoi skandalin më të madh të përgjimeve në vendin tonë. Nga ajo kohë e deri më sot, rekomandimet dhe vërejtjet nga bashkësia ndërkombëtare për reformimin e sistemit të sigurisë në Maqedoni nuk kanë të ndalur, megjithatë pothuajse pas tre viteve të kaosit në strukturat e larta të shtetit, kjo sferë ende nuk i është nënshtruar reformave thelbësore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.