Politikanët dhe veprimin politik të shqiptarëve në kontekstin e Maqedonisë duhet vlerësuar, duhet kuptuar nismat e mira dhe ngecjet dhe duhet ndihmuar në qëllimet e saj funksionale, por njëherësh edhe dënuar për mangësitë e treguara. Për ndryshime janë zgjedhjet që ofrojnë zgjidhje. Të mendojmë pra seriozisht
Nga Xheladin MURATI
Politika besoj se mund të bëjë një lëvizje të mençur dhe të investoj në të mirë të qytetarëve dhe shqiptarëve dhe ato të trajtohen si popull shtetformues me status të qartë kushtetues juridik. Kjo mbase prej aty dalin problemet dhe njëherësh zgjidhen. Madje zhvillimet në Maqedoninë e Veriut përkojnë me ambiciet gjeostrategjike nga jashtë e nga brenda, të cilat shtrojnë dilema, opsione, plane. Politikanët duhet të mendohen mirë. Unë e shoh si të rrezikshme statusin dhe gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë në status quo. Kush do ta udhëheq krenarinë e humbur të shqiptarëve? Çështje më vete është se tek artikuluesit e politikës shqiptare mungon vizioni dhe parashikimi për të përmbush kërkesat dhe nevojat e shqiptarëve. Shkaku i vërtetë i mungesave të politikëbërjes shqiptare shkon përtej idealeve që partitë shqiptare i shpallën dhe përtej parullave për të përmirësuar statusin dhe gjendjen e shqiptarëve. Është koha që edhe autoritetet lokale dhe ato shtetërore të ndikojnë në realizimin e politikës së barazisë e drejtësisë dhe mosdiskriminimit.
PREMISAT
Për të trajtuar qasjen në fjalë kam parasysh këto premisa:
- Politika duhet të mendoj që projektet të jenë për perspektivën, afatgjata dhe në unitet me kërkesat shqiptare.
- Politika është sfidë e demokratizimit të shoqërisë.
- Politika si përçarje dhe nxitje të demokracisë brenda shqiptare.
- Politika reflekton drejtpërdrejti në motivimin e njerëzve për të migruar.
QASJET DHE ASPEKTET
Zgjedhjet e prillit të ardhshëm, që më ka filluar fushata, duhet të japin një impuls të ri politikës dhe të kemi një situate të re në shoqërinë tone. Është e qartë për ne që politika duhet të ketë aspirata të qarta dhe konkrete kombëtare. Në këtë kontekst nuk duhet vetëm debate dhe parakalim të analistëve, por edhe plane konkrete, veprim dhe investim. Pasojat e një politike jo konkrete, jo të mire të mos them jo konsistente ndjehen më shumë në tri aspekte:
– aspektin social (qëndrueshmëria dhe kohezioni i duhur),
– aspektin psikologjik (reformim të vetëdijes, arsyet e skepticizmit) dhe
– aspektin e politikës së brendshme kombëtare (tendenca për personalizim të pushtetit, humbin vlerat dhe parimet, harrohen qytetarët, anashkalohen shqiptarët).
Megjithatë, në planin afatgjatë, problem i vërtetë i shqiptarëve është një qëndrim mirëkuptimi i palës maqedonase se pa shqiptarët s’bëhet dotë Maqedonia. Prandaj duhet të ndodh pacifizimi si argument i maqedonasve për të ndërtuar bashkëjetesën në shtet. Dialogu duhet të jetë i hapur për çdo çështje po me epilog, jo në vazhdimësi. Politika e ardhshme e ndërtuar mbi baza të shëndosha duhet të vë në pah tri gjëra kryesore:
– Ta bën të njohur çështjen e shqiptarëve të Maqedonisë në tërë hapësirën e Maqedonisë, jo vetëm aty ku jetojnë ata, por edhe në Radovish e Strumicë, Kriva Pallankë e Gjevgjeli, në Çashkë e në Idrizovë (pengohet dhe protestohet kundër paraleleve shqipe) e gjetiu
– Ta nxjerrë nga anonimiteti dhe mosvëmendja në shoqërinë maqedonase, ta shtron karakterin e forte etnopsikologjik të shqiptarëve dhe peshën e tyre në Maqedoni.
– Dhe e treta, politika e ardhshme të sugjeroj e të ofroj model të qytetarit bashkëkohor i cili vepron pareshtur për të ecur përpara.
Rrjedhimisht lindin pyetjet: A po kërcënohet shoqëria nga politika e pa matur, jo stabile pse jo edhe e gabuar? A ka më interes për politikën e vërtetë apo vetëm për politikën e pasurisë? A ka ulje dhe mosinteresim i qytetarëve për pjesëmarrje në votime?
E parë nga pikëpamja e realitetit natyror e social politika kombëtare duhet ta tërheq vëmendjen në drejtim të ndërhyrjes të përmirësimit të pozitës, statusit dhe gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni. Pra ta reformojnë sjelljen, mos bëjnë politikë vetëm për politikë, por për punërat që duhet kryer. Për këto fakte Maqedonia do të ec përpara stabile, e qëndrueshme, progresive në se e ndërron raportin qenësor mes shqiptarëve e maqedonasve, i cili në mënyrë konstante paraqitet me probleme. Pra, politika maqedonase duhet:
– ta ndërroje dioptrinë dhe kontekstet e shikimit të problemeve shqiptare, që shqiptarët mos mbeten vetëm problem virtual por real;
– të bëhet ridimensionimi i problemeve shqiptare në Maqedoni;
– ndaj qytetarëve dhe veçanërisht ndaj atyre që konsiderohen si të pavarur, që nuk aderojnë nëpër parti politike, tua mbroj natyrën njerëzore në një planimetri më humane, pra ti mbron, ti respekton, dhe ti vlerëson, ta çmon aftësinë profesionale të tyre dhe të punëson pa politizim, ta çmon dijen dhe vlerën e tyre.
– partitë mos i politizojnë dhe partizojnë marrëdhëniet dhe raportet ndërnjerëzore e ndërvllazërore, të eliminojnë nepotizmin në punësime, padrejtësitë sociale, korrupsionin, krimin e organizuar e të ngjashme.
Shqiptarët e Maqedonisë kanë nevojë për ta reformatuar strategjinë e veprimit dhe taktikën e politikëbërjes, duhet kuptuar dhe vendosur ç’ duhet bërë. E para që u duhet partive shqiptare është sinqeriteti dhe uniteti politik, unifikimin e veprimeve në të mire të qytetarëve, por kjo nuk ndodh. Edhe pozita edhe opozita kërkojnë bashkëpunim mes vete vetëm kur ndodhin zgjedhjet, por me kute të ndryshme. Opozita kërkon koalicionim brenda vetvetes për ta mundur pozitën, ndërsa kjo e fundit kërkon bashkimin e opozitës për ta forcuar vetveten. Gjuhë e njëjtë qëllimet e ndryshme. Politika shqiptare ende nuk ka marrë mësim nga politika se ajo është tepër e rëndë për realizimin e aspiratave kombëtare dhe tejet e lehtë për të përçarë dhe sunduar.
E dyta që duhet bërë, është ta sfidojnë politikën maqedonase, mos bëhen poltrone të saj, madje edhe duke e votuar dhe përkrah kërkesat e saj.
E treta, politika nuk duhet të braktisë shqiptarët, tortura më e madhe është braktisja.
E katërta politika shqiptare duhet të jetë më agresive ndaj politikës maqedonase e cila është njerkë për shqiptarët e nanë për maqedonasit.
Përndryshe bërja e politikës në Maqedoni ngjanë shumë me muzikën tallava, por më shumë më duket si një orkestër misterioze ku nuk e dij se çfarë instrumentesh misterioze luajnë brenda saj violina, kitara, tambura, piano ose atë e kuptojmë vetëm kur luan daullja me ustallarët. Thjesht në politikë nuk e ndjejmë simfoninë e saj. Në kontekstin e shënuar veprimtarët politik, ato që artikulojnë interesat e shqiptarëve në Maqedoni duhet të kenë parasysh tri aspekte:
– të sigurojnë gjithmonë politikë hezituese, konkrete e korrekte,
– marrëveshje për sendërtim të barazisë dhe mosdiskriminim etnik nëpër institucione,
– të kuptojnë mësimet nga e kaluara.
Përçarjet e brendshme të opozitës shqiptare, pse jo edhe të pozitës, shpjegohen në masë të madhe lehtësije me të cilën pushteti maqedonas arrijnë të shtypin apo të neutralizojnë kërkesat shqiptare, qoftë ajo edhe teorikisht. Le të shënoj vetëm një rast. Plot tri dekada demokraci tranzicionale, politika shqiptare me ministra shqiptarë të arsimit nuk kanë gjetur force të ndryshojnë emrat e shkollave të mesme në Tetovë si gjimnazi “Kirill Pejçinoviq”, shkolla industriale “Mosha Pijade”, shkolla e mjekësisë “Nikolla Shtejn”, shkolla e tekstilit “Gjoce Stojçevski”.
Ka ardhur koha që të mendohet dhe veprohet ndryshe që politika kombëtare të vihet më mire në shërbim të njerëzve, që institucionet të mendojnë për ardhmërinë e tyre, jo për korrupcion dhe krime. Duhet gjetur mundësi punësimi të rinisë, duhet organizuar më mire jeta sociale e kulturore për të parandaluar shpërnguljen dhe braktisjen e vendit. Në fakt, politika në përgjithësi dhe politika shqiptare në veçanti duhet të fokusohet në mënjanimin e elementeve vijuese strategjike:
– PABARAZIA (politike, kombëtare, ekonomike, zhvilluese, rajonale dhe keq menaxhimin që sjell pabarazinë dhe statusin kombëtar);
– KORRUPSIONIN (pozicionet pushtetare përdoren për tu pasuruar, abuzimet me fondet, mega aferat korruptive të pushtetarëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre);
– LIRIA POLITIKE (tek njerëzit dominon një ndjenjë e thellë frike, kontrollet e shpeshta e të paarsyeshme);
– NDRYSHIMET PER TE MIRE (ekonomike, sociale, kulturore, politike, statusore, të ndryshoj shkalla e varfërisë, papunësia, ikja e njerëzve, të ndryshoj besimi ndaj pushtetit).
Mendoj se kemi mjaftueshëm cilësi dhe resurse për të shkuar më larg duke mënjanuar elementet e mësipërme. Në këtë drejtim politika shqiptare duhet të synojë:
– reformim të vërtetë, jo kozmetike të gjendjes;
– konsensus të besës shqiptare për tu arrit ndryshimi;
– premtime objektive sepse premtimet shpesh ushqejnë forcat nacionaliste e antikombëtare dhe
– të përmirësohet funksionimi personal në kontekstin kombëtar.
PËRFUNDIM
Nga sa parashtruam më lartë del të konkludoj me sa vijon: (1) Mjafton dëshira e mire për të bërë diçka më shumë e më mire për qytetarët dhe për shoqërinë e njerëzit. Politika, kur ajo është e drejt rrit shpresën te qytetarët në veçanti kur ajo investon dhe është në funksion të rritjes e mirëqenies njerëzore. (2) Politikanët dhe veprimin politik të shqiptarëve në kontekstin e Maqedonisë duhet vlerësuar, duhet kuptuar nismat e mira dhe ngecjet dhe duhet ndihmuar në qëllimet e saj funksionale, por njëherësh edhe dënuar për mangësitë e treguara. (3) Për ndryshime janë zgjedhjet që ofrojnë zgjidhje. Të mendojmë pra seriozisht. (koha.mk)