Ndërkohë që lideri i opozitës maqedonase kërkon takim liderësh për çështjet e hapura historike me Bullgarinë, opozita shqiptare thotë se çështjet e jashtme politike të vendit nuk janë ekskluzive vetëm të dy subjekteve maqedonase (LSDM-VMRO), por janë inkluzive sepse ndërlidhen me interesin e gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që ka të bëjë me rrugëtimin drejt BE-së. Nga opozita shqiptare madje shtojnë se janë të interesuar që në takimet eventuale të liderëve të kërkojmë edhe heqjen e 20 % si referencë dhe të njëjtin ta zëvendësojmë me Gjuhë shqipe në Kushtetutë. Ndërsa kryeministri Zaev në prononcim për KOHA, ka refuzuar ftesën e Mickoskit për takim liderësh
Destan JONUZI
Shkup, 19 tetor – Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski mbetet në qëndrimin se Bullgaria i kërkon Maqedonisë së Veriut një Marrëveshje të re si modelit të Prespës e cila do përfshinte edhe ndryshime Kushtetuese. Ai madje për këtë çështje u ka bërë thirrje liderëve të partive parlamentare në vend për një takim të përbashkët, siç ka deklaruar, për ‘çështje serioze, gjegjësisht Marrëveshjen me Bullgarinë’. “Çështjet serioze zgjidhen në takim liderësh, në tavolinë. U bëjë thirrje liderëve të partive relevante politike, që të ulemi dhe të bisedojmë hapur për çështjen e cila sot është aktuale, e ajo është bisedimet me fqinjin tonë Lindor. Kjo është temë shumë e rëndësishme”, ka deklaruar Mickoski. Ai vlerëson se nuk nevojitet vetëm se një takim liderësh, por disa takime, dhe nga ato të dilet me zgjidhje të përbashkëta para qytetarëve. Për arsye, siç shprehet ai, qytetarëve u ka erdh te hunda politika ditore.
Mickoski vazhdon të mbetet në qëndrimin e tij se krerët shtetëror të Maqedonisë me ato Bullgarinë po bisedojnë për një Marrëveshje të re, e cila, siç thotë ai, do të jetë e ngjashme me Marrëveshjen e Prespës dhe do të përfshijë ndryshime Kushtetuese. “Edhe pse në Shkup u demantua kjo deklaratë e imja, interesant është fakti se pse kjo nuk u demantua edhe nga Bullgaria. Është e habitshme se si askush nga pala bullgare nuk e demantojë. Kjo është çështje e cila meriton të bisedohet në takim liderësh, hapur dhe pa doreza, dhe pas atyre bisedimeve të dalim dhe japim zgjidhje ose përfundimisht do të themi se ne nuk mund të merremi vesh mes veti dhe do të duhet të gjejmë një rrugë tjetër”, ka deklaruar Mickoski.
Zaev është shprehur kundër takimit
Kryeministri Zoran Zaev dhe lideri i LSDM-së në prononcim për gazetën KOHA, ka refuzuar ftesën e Mickoskit për takim liderësh. “Nuk shoh nevojë për një takim liderësh, veçanërisht me një njeri i cili nuk ka qëndrim për asnjë çështje të rëndësishme strategjike. Gjuha maqedonase, identiteti dhe veçantia maqedonase janë konfirmuar dhe njohur ndërkombëtarisht nga e gjithë bota. Me fqinjin tonë, Bullgarinë, kemi një marrëveshje për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë, e cila është nënshkruar në maqedonisht. Ne presim që në frymën e kësaj Marrëveshje të vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhënie së bashku. Ne shprehim vullnetin tonë për të zgjidhur çështjet që dalin nga Marrëveshja përmes punës së komisioneve që kanë juridiksion mbi të”, deklaroi për KOHA, kryeministri Zaev. Sipas tij, Mickoski nuk është për një marrëveshje për ndonjë temë, ai po kërkon një mënyrë vetëm për të dëmtuar shtetin, veçanërisht të pengon rrugën drejt BE-së.
Partitë parlamentare në vend janë të hapur për dialogu, dhe siç thonë ato çdo kompromis politik që zgjidh një çështje të caktuar është në të mirë të vendit.
Grubi: Indi shqiptar dhe interesi euroatlantik – prioritet
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) thonë se dialogu dhe gjetja e kompromisit janë sinonim i partisë së tyre. Nga atje thonë se çdo përpjekje për të ardhur deri te një zgjidhje që nuk do ta dëmtonte indin shqiptar, dhe interesin euroatlantik të vendit do ta mbështetin. “Integrimi i vendit tonë në BE është çështje e rëndësishme dhe strategjike për ne dhe të gjitha partitë politike kane dhënë mbështetjen e tyre për këtë proces. Me fqinjin tonë, Bullgarinë, kemi nevojë për më shumë dialog, më shumë kontakte, më shumë takime dhe më shumë miqësi në frymën e marrëveshjes për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë. Historia nuk guxon të mbaj peng të ardhmen. Edhe opozita jonë duhet të mbështes këtë proces dhe jo ta ndërlikon për nevoja të politikës ditore. Qytetarët tanë kanë bërë mjaftueshëm sakrifica si asnjë vend tjetër më herët dhe tërësisht meritojnë mbështetjen e të gjitha vendeve të BE për fillimin e negociatave”, deklaroi për KOHA, Artan Grubi, zëvendës kryeministër i parë i Qeverisë dhe një nga eksponentët kryesor të BDI-së.
Opozita shqiptare pro takimit
Nga partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët (ASH) dhe Alternativa (AAA), thonë se janë për çdo takim dhe iniciativë me karakter politik që do të ndërtonte konsensus për do çështje që do përshpejtonte anëtarësimin e Maqedonisë në BE, duke përfshirë këtu edhe kontestin me Bulgarinë. “Jemi për çdo takim dhe iniciative me karakter politik për të ndërtuar konsensus politik rreth çdo çështje që do ta përshpejtonte anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, përfshirë edhe zgjedhjen e kontestit me Bullgarinë. Gjithashtu jemi të interesuar që në takimet eventuale të liderëve të kërkojmë edhe heqjen e 20 % si referencë dhe të njëjtin ta zëvendësojmë me Gjuhë shqipe në Kushtetutë. Çështjet e jashtme politike nuk janë ekskluzive vetëm të dy subjekteve maqedonase (LSDM-VMRO), por janë inkluzive sepse ndërlidhen me interesin e gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që ka të bëjë me rrugëtimin për në BE”, deklaroi për KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së. Edhe nga Lëvizja BESA thonë se do të mbështetni çdo iniciativë e cila do ti kontribuonte zgjidhjes së problemit. “Çdo iniciativë e cila do të kontribuonte në drejtim të gjetjes së një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë me Bullgarinë ne do ti përgjigjemi pozitivisht”, deklaroi për KOHA, Arjanit Hoxha, sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes BESA.
Ndryshe, Lideri i VMRO-DPMNE-së së fundmi është shprehur i gatshëm që të hiqet edhe referenca 20 për qind për gjuhën shqipe, ndërkohë që më parë ka kundërshtuar një gjë të tillë. (koha.mk)