Shkup, 25 shkurt – Rritje të temperaturave gjatë ditës që do të arrijnë edhe deri në 10 gradë paralajmërojnë prej nesër meteorologët.
Nga DPHM informojnë se deri të premten do të jetë kryesisht me diell me rritje të dukshme të temperaturës së ditës, përveç të mërkurën kur do të fryjë erë e fortë nga drejtimi verior dhe do të ketë rritje të vranësirave me kushte për shi të dobët lokal. Sërish rritje të vranësirave me reshje lokale pritet gjatë fundjavës.
Temperatura e ditës do të lëvizë nesër prej shtatë e deri në 14 gradë, të mërkurën prej katër e deri në 11, të enjten prej shtatë e deri në 14, të premten prej pesë deri në 11 gradë. Temperatura e mëngjesit nesër do të jetë ende më e ulët edhe nën zero dhe do të ulet deri në minus tetë, nga e mërkura në disa pjesë do të jetë nën zero dhe do të lëvizë prej minus tre e deri në katër gradë, të enjten prej minus gjashtë e deri në tre gradë, të premten prej minus pesë e deri në një gradë, të shtunën prej minus dy e deri në katër dhe të dielën prej minus një deri në katër gradë.