Shkup, 21 mars Pas pothuajse tre vitesh nga premiera e fundit rinore, Teatri për Fëmijë dhe të Rinj, vendos një premierë të re – “Njëherë ndërtova një botë” premiera e së cilës do të jetë sonte në ora 20:00. Regjisori Jane Spasiq është autor edhe i tekstit, ndërsa e ka shkruar i inspiruar nga “Sidarta” e Herman Hese.
Përmes një historie familjare për babë dhe birë të cilët takohen pas shumë vitesh, autori përpiqet të perceptojë disa faza më të rëndësishme të jetës dhe të shqyrtojë pasojat e vendimeve individuale.
“Përmes marrëdhënies së tyre dhe historive të babait parashtrohen më shumë pyetje për domethënien dhe pasojat nga përzgjedhjet në jetë. A mund fëmijët të ikin nga përzgjedhja e prindërve të tyre dhe a mund të bëjnë vetë zgjedhjet e tyre të pavarura apo ata çdoherë do të mbajnë hije nga zgjedhja e prindërve të tyre, a ekzistojnë vlera universale apo të gjitha janë individuale? A mund t’i jepet jetës një kuptimi më i gjatë apo çdo fazë jetësore ka rëndësinë e vet? A ka ndonjë nga këto pyetje përgjigje definitive apo çdoherë mbesin të hapura?”, theksoi regjisori Spasiq.
Shfaqja është punuar përmes një procesi eksperimental së bashku me aktorët nga Teatri për Fëmijë dhe të Rinj – Dragan Dovlev, Nenad Mitevski, Natasha Petroviç, Simona Spirovska, Bojan Kirkovski dhe nëntëvjeçari Mihaell Stojanovski.
Skenografia është nga Meri Batakoja, kostumet i dizajnoi Brankica Jordanovska, kompozitor i muzikës është Darija Andovska, ndërsa dizajnin e dritës e bëri Zvezdan Minjkoviç.
Shfaqja zgjat 75 minuta dhe është hartuar për nxënësit e shkollave të mesme prej 15-16 vjeç. Me këtë Teatri për Fëmijë dhe të Rinj dëshiron që përsëri të ringjall skenën rinore dhe ka planifikuar që gradualisht t’i kthejë tri shfaqjet e mëparshme për të rinjtë – “Klasa jonë”, “Mendja e fjetur lind përbindësh” dhe “Ferma e kafshëve”.